Ish-këshilltari i Isa Mustafës kalon në PDK

Ish këshilltari i Isa Mustafës, gjatë kohës sa ishte kryeministër i Kosovës, Faton Abdullahu, ka aderuar sot në Partinë Demokratike të Kosovës.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj e ka prezantuar Faton Abdullahun si aderim të ri në parti.

Hoxhaj e ka konfirmuar se Abdullahu do të jetë pjesë e listës për deputet nga radhët e PDK-së.

“Unë besoj se z.Hoxhaj është në top formë dhe z.Hoxhaj është ai që do t’i jap formë historisë së re të Kosovës. Unë jam i lumtur që po më jepni mundësin të ju ndihmoj. Unë jam i bindur se Kosovës i duhet një kryeministër që e kupton gjuhën politike të interesave euroatlantike”, tha Abdullahu gjatë konferencës për media.

“PDK më ka bindur sot më shumë se kurrë, se sa aty ku ka populizëm, PDK e kthen pragmatizmin. Aty ku ka frikë dhe hezitim, PDK e kthen guximin., Aty ku ka zhgënjim, PDK e kthen shpresën dhe aty ku ka përcarje, PDK është e gatshme të kthej unitet”, tha Abdullahu”, shtoi.

Abdullahu tha se “kurrë nuk ka qenë pjesë e strukturave të larta të partisë tjetër”, duke mos dashur të ia përmend emrin Lidhjes Demokratike të Kosovës.