Ndarja e kufijve sipas Marrëveshjes së Demarkacionit është ende e paqartë për publikun | Foto: përpunim mbi Google Maps

Kryeministri i Mat Opsionet për Demarkacionin

17 deputetë të Kuvendit të Kosovës i kanë propozuar kryeministrit Isa Mustafa disa ndryshime në marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi para se Qeveria ta procedojë për në Kuvend.

Në propozim parashihet që deputetët ta ratifikojnë demarkacionin sipas marrëveshjes së arritur në gusht të vitit 2015 ndërsa kjo marrëveshje të rishikohet pas një viti.

Faton Abdullahu, këshilltar i kryeministrit Mustafa, thotë se shefi i qeverisë është duke e shqyrtuar këtë propozim.

“Është fjala konkretisht për një propozim që ka ardhur nga 17 deputet të Kuvendit që ka të bëjë me disa vërejtje apo thënë ndryshe kërkesa për disa ndryshime që propozohet të bëhen në këtë projektligj para se ai të procedohet”, ka thënë për KALLXO.com, këshilltari për media i Mustafës, Faton Abdullahu.

Sipas tij një kërkesë e tillë e deputetëve ka marrë vëmendjen e Qeverisë, andaj kryeministri ka filluar takimet intensive për këtë çështje.

“Kryeministri Mustafa këto ditë është në kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit që kanë bërë këtë propozim për të parë se cilat janë mundësitë që procesi i demarkacionit të shtyhet përpara. Kryeministri Mustafa ka kontakte edhe me faktorët tjerë relevantë ndërkombëtarë rreth kësaj”, shtoi Abdullahu.

Mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje ka lënë peng një vendim të Komisionit Europian për t’ia hequr Kosovës regjimin e vizave ndërsa Abdullahu thotë se e gjithë kjo po bëhet “në mënyrë që të sigurohet lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës”.

“Krejt ky aktivitet vazhdon të bëhet në bashkëpunim dhe koordinim me partnerin e koalicionit”, tha ai.

Ai nuk e ka konfirmuar për KALLXO.com nëse gjatë kësaj jave Qeveria do ta procedojë për në Kuvend këtë marrëveshje.

Marrëveshje për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi është arritur në Gusht të 2015 por edhe nuk ka arritur të ratifikohet nga pala kosovare, përkundër që ajo malazeze e ka kryet këtë obligimin në parlamentin e saj.

Në shtator të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës e kishte proceduar për në Kuvend, mirëpo e kishte tërhequr mbrapa kur kishte parë që nuk i ka votat e mjaftueshme për ta kaluar.

http://kallxo.com/qeveria-terheq-demarkacionin-nga-rendi-dites/

Për ta ratifikuar këtë marrëveshje duhen 80 nga 120 votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.