Marrëveshja e Brukselit për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe

4 Serbë, OSBE e MAPL e Hartojnë Statutin e Asociacionit

Qeveria e Kosovës ka formuar grupin menaxhues për hartimin e draftit të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS).

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj.

“Me Marrëveshjen e vitit 2013 është përcaktuar që 4 serbë, 2 nga komunat veriore dhe 2 të tjerë nga komunat e tjera serbe, në bashkëpunim me OSBE-në dhe Ministrinë Administrimit të Pushtetit Lokal do ta hartojnë draftin e parë të statutit të Asociacionit. Ne i kemi emrat e grupit menaxhues”, tha Gecaj për KALLXO.com.

Sipas Gecajt, ky grup herë pas here do të udhëtojë edhe në Bruksel.

Ndërsa, këshilltari i kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu, tha për KALLXO.com se s’ka kurrfarë presioni nga pala serbe apo dikush tjetër që të procedohet më shpejtë çështja e hartimit të statutit të Asociacionit.

“Nuk ka asnjë lloj trysnie nga askush, aq më pak presion të çfarëdo natyre qoftë në këtë drejtim. Është duke u punuar me atë tempo me të cilën ne si Qeveri, duke pasur parasysh të gjithë faktorët relevantë, konsiderojmë se është optimale dhe me interes nacional për vendin tonë”, tha Abdullahu.

Mirëpo, ditë më parë, deputeti serb në Kuvendin e Kosovës, Nenad Rashiq kishte thënë për KALLXO.com se ndërmjet partnerëve të koalicionit nuk po diskutohet për AKS-në.

Ndërsa partitë opozitare patën siguruar se nuk e kanë harruar Marrëveshjen, ani pse kohëve të fundit i gjithë kundërshtimi i tyre po shkon për Demarkacionin.

Ato kanë paralajmëruar se do të reagojnë kurdo që Qeveria ndërmerr hapa për të vazhduar me Asociacionin.

http://kallxo.com/opozita-nuk-e-ka-harruar-asociacionin/

Partitë opozitare deri tash kanë organizuar një sërë protestash e aksionesh në Kuvend e jashtë tij në kundërshtim të marrëveshjeve për demarkacionin me Malin e Zi dhe për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

http://kallxo.com/ramush-haradinaj-e-fatmir-limaj-flasin-per-gazin-lotsjelles-ne-kuvend/

Në fillim të muajit maj, shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini kishte thënë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se Asociacioni duhet të formohet sepse sipas saj do të punojë në kuadër të ligjeve të Kosovës.

http://kallxo.com/mogherini-asociacioni-duhet-te-formohet/

Ndërsa, më 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dhënë vendimin e saj rreth kërkesës nga presidentja e atëhershme e vendit, Atifete Jahjaga, për përputhshmërinë e parimeve të Marrëveshjes për Asociacionin.

http://kallxo.com/kushtetuesja-vendosi-per-asociacionin/

Në vendimin e Kushtetueses  thuhej që parimet e përgjithshme nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës, duke e bazuar këtë në nenin  3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës.

Ky vendim i Kushtetueses u kishte dhënë “forcë“ partive opozitare, krerët e të cilave kishin kërkuar dorëheqjen e Isa Mustafës dhe të Hashim Thaçit.

http://kallxo.com/opozita-kerkon-largimin-e-mustafes-e-thacit-nga-qeveria/

Marrëveshja për formimin e Asociacionit është nënshkruar 25 gusht 2015 në Bruksel ndërmjet kryeministrit Isa Mustafa dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, në prani të shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini.

http://kallxo.com/nenshkruhen-kater-marreveshje-kosove-serbi-ne-bruksel/