Mbledhja e qeverisë | Foto: Zyra e Kryeministrit

Frikë te Shërbyesit Civilë se Mund të Pësojnë nga Reduktimi i Ministrive

Qeveria thotë se nuk do të ketë telashe me shërbysit civilë të ministrive të cilat pritet që të shuhen gjatë një procesi të paralajmëruar muaj më parë të reduktimit të resorëve ministrorë të ekzekutivit.

Dy partnerët e koalicionit, PDK e LDK, kanë nisur para disa muajve bisedat se si do të duket qeveria e vendit pas kritikave në opinion se aktualisht ajo ka numër të madh të ministrive që kur i shtohen edhe zëvendës-ministrat i krijojnë barrë buxhetit të vendit.

Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Mursel Zymberi thotë për KALLXO.com ndihet skeptik rreth premtimeve të zyrtarëve qeveritarë se punëtorët e ministrive që pritet të shuhen, do të sistemohen në institucione tjera qeveritare.

Ai tha se ka marrë premtime nga Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar se këto ndërrime thelbësore brenda institucioneve nuk do të jenë problem për punëtorët civilë.

“Ne më tepër i besojmë fjalëve, qëndrimeve dhe këmbëngulësisë tonë se sa Qeverisë. Përkundër vullnetit që e ka treguar ministri Yağcilar, ai mund ta shkelë fjalën e vet dhe nuk ke çka i bën, sepse ai nuk e ka fuqinë e duhur as politike e as partiake”, tha Zymberi.

Ai gjithashtu akuzoi të gjitha qeveritë që nga viti 2004 e këndej se kanë punësuar një numër të madh të militantëve nëpër institucionet publike.

“Që prej vitit 2004, institucioni i konkursit është shkelur në forma të ndryshme dhe rrallë herë ka ndodhur që personi i merituar ta fitojë vendin e tij të punës. Këto kanë ardhur, varësisht se cila parti ka qenë më e fortë, aty edhe kanë kaluar personat e tyre”, tha Zymberi

Por këshilltari për media i Kryeministrit Mustafa, Faton Abudallahu tha për KALLXO.com se Qeveria ka obligim ligjor që t’i sistemojë të gjithë ata shërbyes civilë që kanë kontrata pune.

“Parimisht nuk do të duhej te ishte problem për shërbyesit civilë sepse për ata konkretisht nga kontrata e punës të cilën e kanë, buron obligimi ligjor për sistemimin e tyre në vende të tjera pune duke mos i dëmtuar në asnjë forme”, tha Abdullahu për KALLXO.com

Ai tha nuk ka ndonjë datë të caktuar kur do të bëhet ky riformatizim, por se ka një pajtim mes partnerëve të koalicionit që ky proces “gjithsesi duhet të bëhet”.

“Riformatimi si synim nuk është përcaktuar se do të bëhet me patjetër brenda një periudhe të caktuar kohore, por është pajtim në parim i partnerëve të koalicionit se do të bëhet gjithsesi dhe atë në dobi të rritjes së efikasitetit të qeverisjes dhe aty ku kjo është e mundshme duke mos e dëmtuar efikasitetin të reduktohen shpenzimet. Kjo edhe do të ndodh. Nuk do të ketë prolongime të pajustifikueshme”, tha Abdullahu.