Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK kritikon Qeverinë, kërkon aprovimin e menjëhershëm të projektit amerikan për infrastrukturën e gazpërçuesit

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga ekzekutivi kosovar që të pranojë projektin amerikan për infrastrukturë të gazit dhe termocentralin me gaz.

Përmes një komunikate për media, PDK ka thënë se një investim prej 200 milionë eurosh në ekonominë kosovare është i nevojshëm.

“Partia Demokratike e Kosovës është duke i përcjellë me shqetësim të madh hamendjet e Qeverisë së Kosovës rreth aprovimit të planeve investive Compact të agjencisë amerikane MCC në infrastrukturën përgatitore për rrjetin e përçuesit të gazit, si dhe planeve për termocentral me gaz natyror”, thuhet në komunikatën e partisë më të madhe opozitare ne vend.

“Në kohën kur ekonomia kosovare ka përjetuar goditje dhe është duke u përballur me pasojat e pandemisë, si dhe po vuan mungesën e një plani të mirëfilltë e të qëndrueshëm për rimëkëmbje ekonomike, investimi i 200 milionë dollarëve si grant i pakthyeshëm në ekonominë kosovare, sidomos në sektorin e energjisë, jo vetëm që është i nevojshëm, por përfaqëson edhe interes madhor shtetëror”, vijon njoftimi.

Partia të cilës i prin Memli Krasniqi ka kërkuar që Qeveria që udhëhiqet nga Albin Kurti sa më parë t’i nisë procedurat për të proceduar në Kuvend edhe një kredi nga Banka Ekonomike për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh).

“PDK i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që te aprovojë dhe nënshkruajë pa vonesë projektin e MCC për ndërtimin e infrastrukturës për gazpërçuesin dhe termocentralin me gaz. Në përputhje me kushtet amerikane tashmë të aprovuara nga Qeveria paraprake, kërkojmë që urgjentisht të procedohet në Kuvend edhe kredia e BERZH dhe granti i Kornizës Investive të Ballkanit Perëndimor për gazpërçuesin, me qëllim të kompletimit të kornizës investive në Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.

“Lidhja e Republikës së Kosovës në infrastrukturën e gazit që gëzon përkrahjen e plotë të SHBA-ve është interes strategjik, ekonomik dhe gjeopolitik. Vonesat prej gjashtë muajsh në trajtimin me prioritet të këtij interesi shtetëror tashmë kanë krijuar një rrezik të madh për mbarëvajtjen e këtij projekti. Dështimi eventual i tij, jo veç që cenon raportet tona, por njëkohësisht do ta lë Kosovën përjetësisht jashtë mundësisë së diversifikimit të burimeve energjetike, situatë që i shkon në favor vetëm Serbisë dhe forcon pozicionin e Rusisë në rajon”, njofton PDK.

Sipas kësaj partie, dështimi i eventual i Qeverisë për të nënshkruar menjëherë planet e MCC apo anulimi eventual i këtyre planeve, për shkak te vonesave të Qeverisë, do të ishte një humbje e madhe për qytetarët e Kosovës dhe shtetin.