Foto: PDK

PDK: Ftesa e Hotit - joserioze

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka konsideruar joserioze ftesën e kryeministrit Avdullah Hoti për t’u takuar liderët politikë për të biseduar për qasjen ndaj dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas PDK-së, qasja e Hotit është vazhdimësi e qasjes së Qeverisë Kurti.

“Qasja e Kryeministrit Avdullah Hoti, duke dërguar fillimisht ftesa nga rrjetet sociale dhe studiot televizive, nuk është serioze. Kjo është vazhdimësi e ish Qeverisë Kurti. Ftesa e dërguar nga Kryeministri Hoti, në mënyrën si është bërë, pa konsultim paraprak, është veprim i qëllimshëm i dështimit të takimit të nesërm”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Po ashtu, PDK vlerëson se qasja e kryeministrit Hoti e dëmton frymën e bashkëpunimit dhe bashkërendimit për dialogun Kosovë-Serbi.

“Kosova ka ndërtuar një traditë të mirë të koordinimit dhe bashkërendimit të veprimeve për çështje të rëndësishme nacionale. Por, sjellja e Kryeministrit Hoti është kundër këtij principi dhe nuk e ndihmon, por e dëmton, frymën e bashkëpunimit për një temë të rëndësishme siç është Dialogu. Urojmë që ky Kryeministër do të reflektojë para një ftese tjetër dhe do të jetë më serioz”, thuhet tutje në reagim.

Sipas PDK-së, “aty ku janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë edhe Kosova. BE ka ndihmuar Kosovën në agjendën evropiane dhe duhet të marrë përgjegjësi edhe në procesin e dialogut’.

Sot kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka thirrur në takim nesër në ora 11:00 liderët partiakë për bashkërendimin e qëndrimeve për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Me qëllim të bashkërendimit të qëndrimeve të spektrit politik të vendit, në procesin e dialogut me Serbinë, si dhe në vigjilje të vizitës në Washington, i ftova liderët partiakë për një takim të përbashkët të Forumit të liderëve, i cili do të mbahet nesër në orën 11:00 në Zyrën e Kryeministrit”, ka shkruar Hoti në facebook.

Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje kanë sugjeruar kryeministrin Hoti që një ftesë të tillë ‘as mos ta nis’.