Patën kontakt me të infektuarin me COVID-19, vetizolohen 13 punëtorë shëndetësorë në Kaçanik

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dje ka konfirmuar dy rastet e para me COVID-19 në komunën e Kaçanikut.

Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi ka thënë se rastet e konfirmuara janë nga fshati Runjevë dhe Rekë. 

Komuna ka njoftuar që familjet e dy të infektuarve tashmë janë vetizoluar, deri në marrjen e masave të reja në koordinim të plotë të shtabit me Ministrinë e Shëndetësisë.

Ata kanë shtuar se njëri nga të infektuarit ka pasur kontakte edhe me mjekë në QKMF prandaj 13 punëtorë janë vetë izoluar.

Përveç dy familjeve të të infektuarve që janë vetizoluar, Komuna ka njoftuar që edhe një familje e cila ka kontaktuar me të infektuarin nga Runjeva, në lagjen Deda në Doganaj, është vetizoluar.

Drejtori i QKMF-së në Kaçanik, Sinan Zeneli ka njoftuar se pas rezultateve kanë dalë në teren dhe kanë kontaktuar familjarët e të prekurve dhe kanë kërkuar nga ata që të vetizolohen.

Sa i përket punëtorëve shëndetësorë të izoluar, Zeneli ka thënë se ata po ndjekin rekomandimet e nevojshme të vetizolimit.

Në mbledhjen e Shtabit emergjent komunal në Kaçanik ka qenë i pranishëm edhe mikrobiologu Lul Raka, i cili kërkoi që në këtë situatë të respektohet distanca sociale sepse infeksioni bartet gjatë të folurit ndërsa kontakti kryesor është familjari.

“Përveç familjarëve kontakt i afërt është edhe rasti tjetër i qëndrimit afër me personat tjerë sidomos më shumë se 15 min”, ka shtuar Raka.

Raka ripërsëriti edhe njëherë masat e parandalimit siç janë distancimi social, përdorimi i dorëzave, higjiena e duarve etj.

Që nga 13 marsi kur në Kosovë është shënuar rasti i parë me coronavirus, e deri më sot, janë regjistruar në total 731 të infektuar, 165 të shëruar dhe 21 të vdekur.