Ilustrim

Pas raportimit të KALLXO.com suspendohen katër zyrtarë të policisë

Pas raportimit të KALLXO.com suspendohen katër zyrtarët e policisë që dyshohet se rrahën brutalisht të rinjtë. Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka kërkuar suspendimin e katër zyrtarëve policor nga Gjilani nën dyshimin për lëndim të lehtë trupor.

“Rasti kishte ndodhur më 22.05.2021 rreth orës 22:00 në një lokal në Gjilan kurse IPK hetimet lidhur me këtë rast, kanë nisur dy ditë më herët kur hetuesit e Inspektoratit Policor kanë pranuar një ankesë nga një qytetar i cili pretendonte se ndaj tij dhe tre qytetarëve të tjerë, ka pasur tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Rekomandimi për suspendimin e zyrtarëve policorë sipas IPK-së ka ardhur pas analizimit të ankesës dhe shkresave tjera (raporteve mjekësore dhe fotografive) të cilat IPK i ka siguruar gjatë veprimeve hetimore në konsultim me Prokurorinë Themelore Gjilan.

Kujtojmë se dy ditë më parë KALLXO.com raportoi për një rrahje brutale ndaj katër të rinjve nga Gjilani, nga disa zyrtar policor.

Të rinjtë ishin ankuar në KALLXO.com në lidhje me lëndimet trupore që kishin marrë nga rrahja që dyshohet se kishte ardhur nga zyrtarët policor.

Vrragë e gjakosje, katër të rinj dyshohet se u rrahën brutalisht nga disa policë në Gjilan (FOTO)