Lëndimet që ka marrë njëri nga të përfshirët në përleshje me zyrtarët policor, Foto: KALLXO.com

Vrragë e gjakosje, katër të rinj dyshohet se u rrahën brutalisht nga disa policë në Gjilan (FOTO)

Të shtunën e javës së kaluar katër të rinj, kanë qenë pjesë e një përleshje që ka ndodhur mes tyre dhe katër zyrtarëve policor.

Altin Isufi së bashku me vëllain dhe kushërinjtë e tij në një deklaratë për KALLXO.com, kanë treguar ngjarjen e cila ndodhi të shtunën e javës së kaluar në një kafeteri në Gjilan.

Ai përshkruan lëndimet e marra nga dhuna fizike që patën nga zyrtarët policor, për të cilët thonë se pas ngjarjes, të njëjtit janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Altini shpjegon se deri sa ishin duke qëndruar në kafeteri nuk e kishin vërejtur që nga lokali po largoheshin klientët e edhe se pijet ishin larguar nga tavolina.

“Ka ardhur fillimisht njëri prej policëve është ulë në tavolinë e më ka thënë që po ulem pa të pyet, pastaj një polic tjetër me inicialet A.R., e ka godit njërin nga ne, djalin me inicialet A.K”, tregon Altini deri sa rrëfen se njëri nga zyrtarët policor, e kishte përplasur për muri e më pas e kishte goditur në fytyrë.

“Mua më kanë përplasur në një qosh, më ka goditur në fytyrë e më pas më ka vendosur këmbën në qafë. E kam pa vëllain ai nuk kishte forcë as të kundërpërgjigjej për shkak të gjendjes që i ishte krijuar prej rrahjes nga njëjti zyrtar policor”, shpjegon tutje ai.

Në momentin e përleshjes siç pretendon Altin Isufi, zyrtarët policor kanë qenë jashtë detyrës zyrtare.

“Është lajmru policia pasi që ka ndodh përleshja, kanë ardhur edhe na kanë marrë. E kanë pa që kemi lëndime e gjakosje edhe pastaj na kanë dërgu në emergjencë. E kemi marrë raportin e mjekut dhe jemi dërgu në stacion të policisë për intervistim”, tregon ai.

Viktimat në këtë rast që dyshohet se janë sulmuar fizikisht nga zyrtarët policor, kanë pësuar lëndime në kokë, trup e fytyrë.

KALLXO.com posedon disa nga fotografitë e lëndimeve që kanë marrë ankuesit në po atë natë.

Lëndimet që ka marrë njëri nga të përfshirët në përleshje me zyrtarët policor, Foto: KALLXO.com
Lëndimet që ka marrë njëri nga të përfshirët në përleshje me zyrtarët policor, Foto: KALLXO.com
Lëndimet që ka marrë njëri nga të përfshirët në përleshje me zyrtarët policor, Foto: KALLXO.com
Lëndimet që ka marrë njëri nga të përfshirët në përleshje me zyrtarët policor, Foto: KALLXO.com

Sipas Altinit, mes tyre dhe zyrtarëve policor, nuk ka pasur ndonjë problem më parë.

“Ne ju kemi thënë edhe policisë edhe prokurores, merrni kamerat e sigurisë edhe shikojini. Ne kemi qenë në tavolinën tonë, nuk kemi shkaktu asnjë problem. Ata kanë ardhë na kanë rrethu edhe na kanë rrahë”, thotë Altin Isufi.

Sipas ankuesit, personi i cili ka lajmëruar policinë për rastin ka qenë kushëriri i tij A.K., i cili gjendet në paraburgim nën dyshimin se ka sulmuar një zyrtar policor.

“Policinë e ka thirrë njëri nga ne, ai që tash është në burg. Ai e ka njoftu përmes telefonit policinë edhe ata kanë ardh te kafeteria. Policët e inplikum në rast kanë ikur prej vendit të ngjarjes”, përfundon rrëfimin Altin Isufi i cili së bashku me vëllain dhe kushëririn kanë deponuar edhe një ankesë në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Këta të fundit në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com kanë thënë se janë duke u marrë me rastin.

“Ju njoftojmë se Departamenti për Menaxhimin e Ankesave në IPK, sot ka pranuar ankesë nga një qytetar në lidhje me këtë rast dhe ai është në fazën e hetimit preliminar”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për KALLXO.com.

Për të sqaruar ngjarjen KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Drejtorinë Rajonale të Gjilanit.

Rasti është iniciuar si lëndim i lehtë trupor në Policinë e Rajonit të Gjilanit, ndërsa të njëjtit kanë një shpjegim tjetër për ngjarjen.

“Me datën 22.05.2021 rreth orës 22:20 është raportuar se në kafeterin “Mono” ka ndodh një rast “mosmarrëveshje” fillimisht në mes të dyshuarit A. K. dhe ankuesit K.D. Në momentin kur ka ndodh rasti, aty afër në kafeteri ka qenë viktima – polici i PK-së me tre kolegët e tij, të gjithë jashtë detyrës zyrtare, të cilët kanë reaguar për ta vënë situatën nën kontroll”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Sipas Policisë, i dyshuari A.K., ka rezistuar e më pas ka goditur policin A.R. me shihe në kokë duke i shkaktuar lëndime trupore.

“I dyshuari është arrestuar nga policia e Kosovës dhe është sjell në stacionin policor në Gjilan ku është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës. Pasi në këtë rast kanë qenë të përfshirë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës (PK-së), me kohë është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Në lidhje me veprimet hetimore KALLXO.com ka pyetur edhe Prokurorinë Themelore në Gjilan.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, më 22 maj 2021, ka ndaluar të pandehurin A.K. dhe ndaj tij ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale ‘’Sulmi’’ dhe ‘’Sulmi ndaj personit zyrtar’’. Gjithashtu, në lidhje me rastin është intervistuar edhe njëri nga pronarët e kafeterisë, në të cilën dyshohet se ka ndodhur ngjarja”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.