Pas raportimit të KALLXO.com, nga Spitali i Prizrenit tërhiqet kufoma e një personi që dyshohet se ishte me COVID-19

Trupi i Sh.L., për të cilin dyshohet se ishte i prekur nga COVID-19,  është tërhequr nga Reparti i Infektivës të Spitalit Rajonal të Prizrenit rreth 14 orë pas vdekjes së tij.

Kufoma e të ndjerit po mbahej në një dhomë të Repartit të Infektivës që nga ora 5:00 e mëngjesit ndonëse familjarët kanë kërkuar tërheqjen e trupit për të zhvilluar ceremoninë e varrimit.

Dhe, kufoma është tërhequr nga inspektorët sanitarë rreth orës 19:00 dhe është dërguar për ceremoninë e varrimit vetëm pasi për rastin raportoi KALLXO.com.

Lidhur me këtë rast, KALLXO.com kishte kontaktuar edhe Policinë e Prizrenit.

Zëdhënësi i Policisë, Shaban Osmanollaj, ka konfirmuar se Policia është informuar për një person që ka vdekur në Spital dhe se trupi i tij po mbahej ende aty, pasi që ekipet e tërheqjes së kufomave nuk kanë shkuar në Spital.

“E kemi marrë ankesën nga familjarët se trupi i pajetë që nga orët e mëngjesit po qëndron pa u tërhequr nga ekipet funerale. E kemi dërguar një patrullë policore”, tha zëdhënësi për KALLXO.com.

Një pacient i dyshuar për COVID-19 vdes në Spitalin e Prizrenit, ekipa për tërheqjen e kufomave nuk lajmërohet gjithë ditën