Një pacient i dyshuar për COVID-19 vdes në Spitalin e Prizrenit, ekipa për tërheqjen e kufomave nuk lajmërohet gjithë ditën

Policia e Rajonit të Prizrenit gjatë ditës së sotme ka marrë një informacion në lidhje me një person i cili ka vdekur në Spitalin e Prizrenit por që i njëjti po qëndron ende aty, pasi që ekipet e tërheqjes së kufomave nuk kanë shkuar në spital.

“E kemi marrë ankesën nga familjarët se trupi i pajetë që nga orët e mëngjesit po qëndron pa u tërhequr nga ekipet funerale. E kemi dërguar një patrullë policore”, tha Shaban Osmanollaj për KALLXO.com.

Sipas burimeve të KALLXO.com në Spitalin e Prizrenit, viktima ka vdekur në ora 05:00 në mëngjes ndërsa nuk dihet nëse shkaktar i vdekjes ka qenë COVID-19.

KALLXO.com gjatë ditës ka marrë informacione nga familjarët e viktimës së trupi i pacientit me inicialet Sh. L. është duke qëndruar ende në repartin e Infektivës në Spitalin Regjional të Prizrenit.