PAMJE - Qytetarët bllokojnë rrugët në Shtërpcë

Për shkak të plagosjes së 11 dhe 21 vjeçarit në Shtërpcë, banorët kanë bllokuar rrugët.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari.

Ekipi i KALLXO.com po qëndron në vendin e ngjarjes ku është parë një barrikadë e vendosur nga banorët lokalë në hyrje të Shtërpcës.

Në vendngjarje gjithashtu janë parë edhe Policia e Kosovës të cilët po e monitorojnë situatën.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com ka raportuar se janë plagosur dy persona në Shtëprcë.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës njoftoi se ka arrestuar një të dyshuar me inicialet A. K.

Në një komunikatë për media, Policia thotë se nga i dyshuari, hetuesit kanë gjetur e më pas kanë konfiskuar armën e zjarrit (pistoletë) me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.

Nga A. K. gjithashtu është konfiskuar edhe automjeti i udhëtarëve me të cilën dyshohet se ka lëvizur ai.

Ndërkaq ministri i Mbrojtje, Armend Mehaj ka njoftuar se në këtë rast është i përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndaj të cilit Mehaj tha se do të trajtohet sipas rregulloreve dhe ligjeve që janë në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-së.