Palmer: Grenell nuk përfaqëson Qeverinë amerikane, është qytetar i thjeshtë

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, në një intervistë për RTV Dukagjinin ka komentuar edhe akuzat e ish- të dërguarit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi,  Richard Grenell ndaj liderit të LVV-së, Albin Kurtit.

Palmer tha se Grenell është vetëm një qytetar i thjeshtë, i cili nuk përfaqëson Qeverinë amerikane.

“Duhet të flisni me Rick-un (Richard Grenell) për këtë. Ambasadori Grenell është qytetar i thjeshtë. Nuk mund të flasë për pikëpamjet e tij apo kë e përfaqëson. Ambasadori Grenell nuk e përfaqëson Qeverinë amerikane. Ai është qytetar privat”, tha mes tjerash Palmer.

Grenell në tri postime ndaras në rrjetin social “Twitter” ka hedhur akuza drejt Albin Kurtit.

2 mars, ish-i dërguari amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, e ka akuzuar Kurtin se ka qenë gjithmonë anti-amerikan si dhe sipas tij, Kurti ka qenë kundër politikave të ShBA-së të disa prej ish-presidentëve.

Këtë deklaratë ai e ka publikuar shoqëruar nga një artikull ku interpretohet deklarata e Kurtit për shqyrtimin e mundësisë për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes të dyja vendeve.

Më pas, ai ka kujtuar kohën kur Kurti hidhte gaz lotsjellës Kuvend për ta kundërshtuar miratimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Ndërkaq, më 3 mars, Grenell përmes rrjetit Twitter ka shpërndarë një shkrim ku Kurti kishte thënë se do votonte për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ai ka thënë se kjo duhet të dënohet nga administrata e Joe Bidenit.