Sindikatat: Peticionin për shkarkimin e kryetarit të bordit të RTK-së e kanë nënshkruar 361 punëtorë

Sindikatat e punëtorëve të RTK-së kanë njoftuar se 361 punonjës të mediumit publik kanë nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit të bordit të RTK-së Besnik Boletinit.

Peticioni është organizuar nga Sindikata e Pavarur e RTK-së, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës.

“… përmes këtij PETICIONI të nënshkruar me vullnetin e lirë, kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të Kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini”- thuhet në njoftimin e sindikatave.

Tri sindikatat kanë njoftuar se nëj kopje e peticionit do ti dërgohet kryetarit të kuvendit dhe komisioneve përkatëse.

Dorëheqja e Boletinit po kërkohet pas deklaratës së tij se ai merr informacione se në mediumin publik “punëtorët vijnë me pizhame e miniqa”.

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka miratuar propozimin që punëtorët të raportojnë për punët që kryejnë brenda orarit e më pas të bëhet edhe raport mujor për punën e secilit.

“Mendoj se duhet të marrim një vendim për raport mujor të secilit punëtor në RTK sepse unë përditë marr informacione se punëtorët vijnë me pizhame, miniqa, vijnë bëjnë check out dhe kjo është e papranueshme”- kishte thënë kryetari i bordit Besnik Boletini para disa ditësh gjatë mbledhjes së bordit.

Sindikata e Pavarur e RTK-së e ka konsideruar fyerje një deklaratë të tillë të Boletinit.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, ka monitoruar mbledhjen e 6 shtatorit të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

KALLXO.com më 1 shtator ka publikuar hulumtimin “Radio Televizioni i Burrave”, i cili zbulon se si tri profesioniste të cilat në procese meritokratike të konkursit u përzgjodhën të merrnin pozicione udhëheqëse në RTK nuk u lejuan t’i marrin ato pozita.

Rrëfimet ekskluzive të tyre tregojnë për prapaskenat, negociatat, thirrjet në zyra e takimet që synuan t’i bindnin ato të tërhiqeshin nga gara.

 

Kryetari i Bordit të RTK-së: Marr informacione se ka punëtorë që vijnë në punë me pizhame

Punëtorëve të RTK-së do u kërkohet raportim për punët që kryejnë brenda orarit