Pajtueshmëri për tekstet shqipe në Serbi

Drejtori i shkollës fillore “Zenel Hajdini” në Preshevë, Shukri Ymeri, thotë se është koha e fundit që Ministria e Arsimit të Serbisë të fillojë të merret me çështjen e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Kështu ai e komenton marrëveshjen për tekstet në gjuhën shqipe, të arritur në mes të nëntorit ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit dhe atyre të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Problemi me tekstet në gjuhën amtare për pakicën kombëtare shqiptare në Serbi është tash e disa dekada. Problemi lindi pas përfundimit të konfliktit në Kosovë në vitin 1999, kur shkollat në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë – tri komuna në jug të Serbisë të banuara me shumicë shqiptare – mbetën pa i pranuar tekstet shkollore nga Instituti i Teksteve të Prishtinës, për shkak të ndërprerjes së komunikimit me institucionet.

Ymeri, i cili për një dekadë është në pozitën e drejtorit, thotë se kolegët e tij ia dalin në mënyra të ndryshme që t’ua bartin njohuritë nxënësve.

“Është shumë e vështirë për mësimdhënësit. Ata kryesisht përkthejnë në gjuhën shqipe nga librat në gjuhën serbe ose bëjnë skripte, të cilat i kopjojnë nxënësit dhe kështu ia dalim ne”, sqaron Ymeri për Radion Evropa e Lirë.

Më 16 nëntor, zëvendëskryeministri i parë i Serbisë dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik, Branko Ruzhiq, tha për agjencinë Fonet se çështja e teksteve në gjuhën shqipe është zgjidhur përmes bisedimeve me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar./REL