Padia për shkelje të markës tregtare, dy asistencat rrugore vazhdojnë të përballen në gjyq

Në Departamentin Ekonomik të Gjykatës Komerciale, më datë 09.09.2025, është mbajtur seanca e shqyrtimit kryesor në rastin ku kompania Asistenca e Përgjithshme Rrugore (APR) e ka paditur Asistencën Rrugore të Kosovës për shkelje të markës tregtare.

Seanca ka vazhduar me leximin e ekspertizës financiare të plotësuar.

Kjo ekspertizë është punuar nga Kushtrim Morina, më 15.07.2025.

Lidhur me plotësim ekspertizës financiare gjyqtari kësaj çështje, Hasan Kryeziu kërkoi nga palët që të deklarohen.

I autorizuari i palës paditëse e po ashtu edhe ai i palës së paditur deklaruan se kanë vërejtje në plotësimin e ekspertizës financiare dhe se kanë pyetje ndaj ekspertit Morina.

Eksperti financiar, Kushtrim Morina fillimisht u përballë me pyetje nga ana e avokatit Veli Hoti, i cili e përfaqëson palën paditëse, në këtë rast APR (Asistencën e Përgjithshme Rrugore).

“A përputhet numri unik identifikues i faturave të ARRK-së edhe NUI i faturave të Frontal L.L.C sipas deklarimit të dy shoqërive tregtare, në bazë të cilave është bërë edhe kalkulimi në plotësimin e ekspertizës financiare ?” – e pyeti avokati Veli Hoti.

“Nga shikimi në faturat për të cilat është bërë plotësimi i ekspertizës financiare rezulton se NUI i subjektit ARRK përputhet me NUI e asaj në ARBK, ndërsa NUI i Frontal L.L.C në faturat përkatëse nuk është i njëjtë me NUI të këtij subjekti në ARBK “ – tha eksperti Morina.

Avokati Veli Hoti e pyeti ekspertin Morina se a është theksuar kjo në plotësimin e ekspertizës, ndërsa ai u përgjigj se e njëjta nuk është e theksuar pasi këtë të dhënë e kishte vërejtur më vonë.

“Jo nuk është theksuar e njëjta, për arsye se këtë të dhënë e kam vërejtur më vonë, ndërsa deklaroj që të njëjtat i kam vërejtur dje gjatë kohës sa kam qenë duke u përgatitur për seancën e sotme” – tha eksperti Morina.

Avokati Hoti e pyeti se “meqenëse këtë gabim e ke vërejtur dje ndërsa plotësimi është dorëzuar më herët, a do të thotë që plotësimi duhet ndryshuar konform të gjeturave të reja”, ndërsa eksperti tha se të njëjtat nuk do i kishte marr për bazë edhe nëse do t’i kishte kontrolluar paraprakisht, pasi që me NUI e përshkruar në fatura rezulton se nuk figuron asnjë kompani e regjistruara në ARBK.

“Në rastin konkret, dëmi i shkaktuar tek paditësi a është llogaritur nga ana e juaj vetëm nga të hyrat e të paditurit apo është marr ndonjë parametër tjetër për përcaktimin e dëmit të shkaktuar?” – ishte pyetja e radhës e avokatit Hoti për ekspertin.

“Në rastin konkret siç është konstatuar në ekspertizën bazë, kalkulimi i dëmit është bërë duke marr për bazë të hyrat edhe shpenzimet e marketingut të dy kompanive” – u përgjigj eksperti.

Tutje seanca vazhdoi me pyetjet e parashtruara ndaj ekspertit financiar nga i autorizuari i palës së paditur, në këtë rast ARRK (Asistenca Rrugore e Kosovës) avokatit Arbër Osmanaj.

“A keni analizuar nëse shumat e blerjes sipas formularëve të deklarimeve të TVSh-së për muajin 5 edhe 6 të vitit 2023 përputhen me shumën totale të faturave 66, 67, 68 dhe 69, e që i bie të deklarohen për muajt përkatës për TVSh?”– e pyeti avokati Arbër Osmanaj.

“Gjatë përpilimit të ekspertizës dhe konstatimit të lartësisë së dëmit unë kam marr për bazë vetëm shpenzimet e marketingut të dëshmuara me faturat e rregullta, rrjedhimisht nuk ekziston mundësia e identifikimit të saktë apo të besueshëm duke e krahasuar një total me mbledhjet e sado faturave të tjera. Mundësia e vetme për të bërë këtë llogaritje do të ishte vetëm nëse gjatë asaj periudhe, në atë muaj do të ekzistonte vetëm një faturë e blerjes” – tha eksperti Morina.

Në pyetjen e avokatit Osmanaj se: “A vlen e njëjta edhe në rastet kur ekziston dëshmia e pagesës për këto fatura?”, Morina tha: “Shpenzimet në kontabilitet njihen dhe regjistrohen vetëm përmes faturave, qarkullimi bankar nuk është një tregues ose matës i shpenzimeve apo të hyrave të një kompanie, dhe për këtë arsye qarkullimi bankar nuk është kërkuar nga asnjëra palë. Si shembull nga përvoja ime profesionale pagesat e faturave nuk bëhet një për një por janë të çrregullta, duke u paguar disa sosh njëherësh.” – tha eksperti Morina.

Pas përfundimit të pyetjeve ndaj ekspertit nga palët ndërgjyqëse, seanca vazhdoi lidhur me vërejtjet e tyre që kishin ndaj ekspertizës financiare.

I autorizuari i paditësit Veli Hoti tha se ka vërejtje në ekspertizën financiare edhe plotësimin e saj.

“Kam vërejtjet në ekspertizën financiare edhe plotësimin e saj, punuar nga eksperti Kushtrim Morina. Kjo për faktin se ekspertiza është më tepër një pasqyrë e qarkullimit të palëve edhe jo llogaritje e saktë e dëmit material, dëmit reputacional edhe fitimit të humbur. Ekspertiza ka vërtetuar se i padituri gjeneron të hyra enorme, madje edhe më shumë se vetë paditësi si rezultat i përdorimit të shenjës identike për klasat identike, në pronësi të paditësit. Ekspertiza gjithashtu konfirmon që në deklarimet e ATK-së i padituri në momentin e hartimit të ekspertizës nuk ka deklaruar në ATK librat e blerjes edhe librat e shitjes.” – tha avokati Hoti.

Po ashtu avokati Hoti tha se ekspertiza nuk e ka arritur qëllimin për të cilën është kërkuar fillimisht.

“Sot në deklarimin e ekspertit u deklaruam se të gjitha faturat në bazë të të cilave janë llogaritur shpenzimet e të paditurit nuk duhen merren parasysh për shkak të parregullsisë në lidhje me NUI të kompanisë Frontal L.L.C, kompani me të cilin i padituri ka deklaruar shpenzimet më të mëdha. Eksperti gjithashtu konfirmoj sot në seancë se llogaritja e dëmit do të ishte ndryshe nga ajo e paraqitur në ekspertizë dhe plotësim të saj. Rrjedhimisht ekspertiza nuk e ka arritur qëllimin për të cilin është kërku arfillimisht.” – tha tutje avokati Hoti.

Prandaj gjykatës i njëjti i propozojë që të bëhet nxjerrja e provës të re përmes grupit të ekspertëve në përbërje nga Besnik Livoreka, Fitim Raci edhe Avni Berisha.

Ndërsa i autorizuari i të paditurës, avokati Arbër Osmanaj kërkoj nga gjykata që ekspertiza t’i kthehet edhe njëherë ekspertit në plotësim.

Gjyqtari i kësaj çështje, Hasan Kryeziu mori aktvendim më të cilin e refuzoi propozimin e të paditurit për kthimin e serishëm në plotësim të ekspertizës financiare, të përpiluar nga eksperti Kushtrim Morina.

Po ashtu gjyqtari Kryeziu mori aktvendim me të cilën e aprovoi propozimin e paditësit për nxjerrjen e provës nga lëmia financiare nga grupi i ekspertëve.

Çka kishte kërkuar përmes padisë Asistenca e Përgjithshme Rrugore?

Përmes padisë, e cila ishte pranuar në Gjykatë më 28.04.2023, APR i kishte kërkuar Gjykatës që të aprovohet në tërësi padia e bërë dhe të vërtetohet se ka pasur shkelje të markës tregtare nga Asistenca Rrugore e Kosovës.

Tutje APR kishte kërkuar nga Gjykata që të aprovohet kërkesë për kompensim të dëmit material dhe jomaterial për shkeljen e markës tregtare duke u bazuar në ekspertizë financiare.

Sipas kërkesës së APR-së drejtuar Gjykatës, janë kërkuar 20 mijë euro nga ARRK në emër të kompensimit të dëmit material.

Tutje, përmes padisë janë kërkuar edhe 5 mijë euro të tjera në emër të fitimit të humbur.

Ndërsa për dëmtim të reputacionit, APR ka kërkuar nga pala e paditur shumën prej 10 mijë euro.

Paditësi (Asistenca e Përgjithshme Rrugore) është shoqëri tregtare e regjistruar në Kosovë me veprimtari të ofrimit të asistencës teknike, kryesisht si aktivitete të biznesit ka: Aktivitetet shërbyese të rastit për transportin tokësor, shërbimet e zhvendosjes, transportin rrugor të mallrave dhe të ngjashme.

APR funksionon si biznes që nga data 10.05.2017, ndërkaq i padituri që nga data 22.04.2022.

Gjithnjë sipas padisë, i padituri kishte kopjuar të gjitha metodat e të bërit biznes nga paditësi. Ai në mënyrë identike kishte vepruar në lidhje me reklamat si dhe për qëllim ishte afruar me zyrë pranë zyrës së paditësit.

Tutje i padituri kishte pretenduar se parim nuk kishte asnjë dallim të vetëm të kësaj logo me të logos së paditësit. Me veprimet e tij, i padituri duke hapur lokalin dhe duke vazhduar të bëjë fushatë përmes rrjeteve sociale, përveç përdorimit të logos identike, kishte ofruar edhe produkte – mallra dhe shërbime – identike me ato të paditësit. Si rezultat i njëllojshmërisë dhe identicitetit të mallrave dhe shërbimeve, për të cilat përdoret shenja, me mallrat apo shërbimet, që mbulohen nga marka e regjistruar, është shkaktuar konfuzion te publiku dhe është bërë asocimi i shenjës së markës tregtare me produktet e ofruara në treg.

Cila ishte përgjigjja e ARRK-së lidhur me pretendimet e paditësit?

Në përgjigjën në padi të datës 04.07.2023 i padituri ka kontestuar në tërësi kërkesëpadinë e paditësit si për nga baza ashtu edhe për nga lartësia e kërkesës, sepse padia nuk ishte e bazuar në fakte dhe prova nga të cilat del themelësia e kërkesëpadisë.

Tutje në përgjigjen në padi thuhet se nga analizimi dhe krahasimi i markës tregtare të paditësit sikurse figurative dhe verbale me shenjën që përdor i padituri, absolutisht nuk vërehen ngjashmëri në mes tyre për një sërë arsyesh: Marka figurative e paditësit përmban një ilustrim apo paraqitje të një figure në formë të shkronjës “A”, ndërsa shenja që përdor i padituri është një paraqitje e thjeshtë e një rruge me dy shirita të rrugës dhe me vija të ndërprera në mes, e cila shenjë absolutisht nuk asocion me markën e paditësit.

Marka e paditësit ka dizajn 3D, ndërsa shenja e të paditurit ka dizajn 1D.

Në markën e paditësit janë tri shkronjat “APR” ndërsa në markën e të paditurit kombinim fjalësh “Asistenca Rrugore e Kosovës” në të cilën janë 24 shkronja.

Përmes përgjigjes në padi pala e paditur ka kërkuar nga Gjykata që të refuzohet në tërësi padia që e ka bërë paditësi.