Ilustrim - Autostrada Prishtinë - Shkup

Pacolli: Ekipi im ka konkluduar se 1 kilometër autostradë do të na kushtonte 4.2 milionë euro

Në Kosovë dy autostradat kryesore atë të rrugës së kombit që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe autostradën “Arbën Xhaferi” i ka ndërtuar konzorciumi “Bechtel & Enka”.

Sipas llogaritjeve, 1 kilometër autostradë për këto rrugë ka kushtuar rreth 11 milionë euro.

Ish ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, i cili është edhe një afarist i suksesshëm në botë e biznesit, tha se kur ishte diskutuar për ndërtimin e autostradës, ai bashkë me ekipin e tij kishte bërë një llogaritje dhe kishin ardhur në përfundim se 1 kilometër autostradë do të kushtonte 4.2 milionë euro, apo gati 3 fish më lirë.

“Kur ka ndodhë kontrata e Bechtel Enka-s, ne nuk kemi qenë në qeveri, kemi qenë në opozitë. Kontrata e dytë është bërë në bazë të llogarive të para. As e dyta kur ka filluar s’kam qenë pjesë e Qeverisë, sepse e kisha ngritë zërin”, tha fillimisht Pacolli.

“Kur kemi dëgjuar që po flitet për ndërtimin e autostradës, dy ditë kam punuar me specialistët e mi dhe kemi ardhur në përfundim se 1 km në terrenin e Kosovës, sipas atyre kritereve që i kemi marrë, 1 metër e gjysmë zhavorr, 4 shtresave të zallit e të asfaltit edhe kemi ardhur në përfundim që 1 kilometër do të kushtonte diku 4.2 milionë euro”, tha ai.

Pacolli ka rrëfyer se atij i kishin ardhur disa vizita dhe e ai e kishte “mbyllur gojën”.

“Ne kemi folur çdokënd për këtë. Kur kemi folur, kemi hasur në një problem që kemi pasur vizita dhe na kanë thanë që këtu është një kompani amerikane dhe e ka kualitetin ashtu. Kemi mëndu që është puna e kualitetit dhe e kemi mbyllë gojën”, tha ai.

Pacolli nuk ka treguar se kush e kishte vizituar por tha se ka pasur lobist që kontratat t’i merr Bechtel Enka.