Protesta e veteranëve të UÇK-së (06.06.2022)

OVL-UÇK paralajmëron protestë kundër Qeverisë Kurti

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka paralajmëruar protesta kundër Qeverisë Kurti.

Ai ka thënë se për detajet e tjera të protestës do të njoftojë me kohë.

“Protestat ndaj kësaj qeverie janë të pashmangshme. Për kohën dhe formën e protestës do të njoftoheni me kohë” – shkroi Klinaku.

Gazeta Nacionale ka publikuar sot pjesën e tretë të një audio-incizimi, ku është e përfshirë shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq. Në këtë audio incizim pretendohet se Kusari-Lila ka folur për listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Projektligjin për pensionet e veteranëve.

Ndërsa, vitin e kaluar, gjatë muajit qershor ishin organizuar dy protesta nga veteranët e OVL UÇK-së para Kuvendit të Kosovës, të cilët kërkonin që të përfshihen në Ligjin për Paga.

Më pas, më 17 qershor, kryeministri Albin Kurti i kishte pritur në takim përfaqësuesit e veteranëve.

Takimi megjithatë nuk kishte prodhuar një ‘pajtim’ mes palëve, por ishin dakorduar që kryeministri t’u dërgojë një propozim me shkrim, që të zgjidhet kjo çështje.