Presidentja Osmani u prit në takim nga kryetari i Parlamentit të Turqisë, Mustafa Şentop, Foto: Presidenca

Osmani takon kryeparlamentarin e Turqisë, kërkon përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Ankara është pritur nga kryetari i Parlamentit të Turqisë, Mustafa Şentop.

Pjesë e delegacionit kosovar në takim me kryetarin Şentop ishte edhe zëvendëskryeministrja Gërvalla, komandanti i FSK-së Bashkim Jashari dhe kryetari i grupit të Miqësisë të Kuvendit të Kosovës për Kosovë-Turqi, Enis Kervan, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.

“Në këtë takim, marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve u vlerësuan të mira dhe me avancim të vazhdueshëm”, thuhet në njoftim.

Sipas Presidentes Osmani, këto marrëdhënie janë shumëdimensionale dhe forcohen nga bashkëpunimi me Turqinë në shumë sfera, duke e llogaritur këtë vend si një partner në shumë procese.

Ajo vlerësoi lart rolin që Turqia ka luajtur në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit në Kosovë.

Presidentja Osmani ka kërkuar që në kuadër të diplomacisë parlamentare, Turqia të jetë zë i Kosovës në organizatat ndërkombëtare në të cilat ky shtet është i përfaqësuar dhe ta shtyjë përpara procesin e anëtarësimit të Kosovës në këto organizata.

“Përshpejtimi i anëtarësimit tonë në NATO është i nevojshëm për të garantuar paqen dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë, por në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor’’, është shprehur Presidentja Osmani, duke potencuar se edhe diplomacia parlamentare mund të shtyjë përpara anëtarësimin e Kosovës në organizata, si NATO dhe Këshill të Evropës.

Ndërkaq për procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se dialogu duhet të përqendrohet në njohjen reciproke dhe ka shtuar se “Serbia deri tani ka dëshmuar është bllokuese në këtë process, duke mos implementuar një sërë marrëveshjesh të nënshkruara”.

Për shkak të luftës në Ukrainë pas sulmeve të Rusisë, është kërkuar që Kosova bëhet pjesë e Aleancës Veri-Atlantike (NATO).

Kongresisti amerikan Torres: Anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk ka qenë kurrë më urgjent