Presidentja Vjosa Osmani me ambasadoret e QUINT Foto: ZPRK

Osmani takon ambasadorët e QUINT-it dhe BE-së, kërkon masa ndaj Serbisë  

Mëngjesin e sotëm presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka nisur me një takim me ambasadorët e QUINT-it dhe të BE-së, të cilëve i ka kërkuar që të merren masa ndaj Serbisë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Sipas komunikatës së Presidencës, Osmani, ka thënë se duhet të kërkohet llogaridhënie nga Serbia për veprimet e saj kundër Kosovës, duke ia bërë të qartë se duhet të ndalojë financimin, mbështetjen dhe shtytjen e grupeve kriminale për veprime terroriste.

“Mungesa e masave të tilla mund të keqpërdoret nga ana e Serbisë dhe për rrjedhojë mund të kemi përsëritje të veprimeve terroriste”- citohet të ketë thënë presidentja.

Në takim, presidentja Osmani ka falënderuar ambasadorët për solidaritetin dhe ngushëllimet e shprehura për vrasjen e heroit të Kosovës, rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe lëndimit të disa policëve tjerë.


Presidentja Vjosa Osmani me ambasadoret e QUINT Foto: ZPRK

Sipas komunikatës, ajo ka vlerësuar lartë punën e shkëlqyeshme dhe profesionale të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera të sigurisë në ballafaqimin me sulmin terrorist.

Presidentja Osmani në këtë takim ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të Bashkimit Evropian, ia ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë dhe koordinimit të institucioneve të sigurisë, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së akteve të tilla.

“Kosova është e vendosur që të vazhdojë ta promovojë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të punojë me komunitetin lokal serb për t’i afruar dhe integruar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës”- citohet të ketë thënë ajo.


Presidentja Vjosa Osmani me ambasadoret e QUINT Foto: ZPRK

Në këtë takim, sipas komunikatës, presidentja ka bërë të ditur se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara në menaxhimin e situatës aktuale dhe për të ndihmuar në arritjen e ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga një grup terrorist nga Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të 24 shtatorit.

Prokuroria Speciale e kishte konfirmuar se të dyshuarit ata do të hetohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe tetë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve dhe dy janë arrestuar mbrëmë në një hotel në afërsi të Banjkës.

Katër nga të arrestuarit janë liruar, për mungesë provash, njoftoi të mërkurën Prokuroria Speciale e Kosovës.