Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian, António Costa. Foto: Presidenca.

Osmani takohet me Costan, kërkon që masat ndaj Kosovës të hiqen tërësisht

Një ditë pasi Bashkimi Europian hoqi 50 % të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka takuar presidentin e Këshillit të Bashkimit Europian, António Costa në Bruksel, me ç’rast i ka kërkuar heqjen e tërësishme të tyre.

“Mirëpresim vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave, përderisa shpresojmë e punojmë që, sa më parë, ato të hiqen në tërësi. Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitet, bashkëpunim e përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme e të sigurisë të Bashkimit Europian”- ka shkruar Osmani në Facebook më 17 dhjetor, e cila po qëndron në Bruksel për Samitin BE- Ballkani Perëndimor.

E para e vendit, tregoi se në takim me Costan potencoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë BE, sado që ato ishin të padrejta, prandaj “nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e masave të tjera të mbetura”. 

“Në anën tjetër, shpresojmë që sa më parë, të kemi përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare që edhe Kosova, bazuar në merita, të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian”- shtoi ajo.

Komisioni Europian do të lëshojë 50%, apo 216 milionë euro të ndihmës financiare për Kosovën në kuadër të procesit të heqjes së masave ndëshkuese të aplikuara qe më shumë se dy vite.

Një zëdhënës i Komisionit Europian tha për KALLXO.com se ky vendim ka ardhur pas kalimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri, pas zgjedhjeve të fundit lokale.

“Kjo do të mundësojë: nënshkrimin e kontratave për 4 projekte (që në total përfaqësojnë 34.6 milionë euro kontribut të BE-së) dhe nisjen e zbatimit të tyre; përfundimin e programimit të të gjitha fondeve të mbetura IPA III të dedikuara për Kosovën (181 milionë euro; me miratimin e planifikuar të vendimit të financimit nga Komisioni në pranverë të vitit 2026, që do të lejonte nisjen e projekteve të para në gjysmën e dytë të vitit 2026)”- shkruan në përgjigje.

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar më 16.12.2025, ka pranuar një letër nga drejtori i përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Europian, Gert Jan Koopman, në të cilën komunikohet se Komisioni ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës.

Sipas Bislimit, bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA në vlerë prej 34.6 milionë euro.

“Në vazhdimësi kemi insistuar për heqjen e masave. Mirëpresim hapin e radhës nga ana e BE-së, i cili duhet të vijojë sa më parë me heqje të plotë të tyre. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë”- shkroi ai në Facebook.

Pjesa e tjetër vazhdon të mbetet e bllokuar, gjë për të cilë BE nuk ka dhënë arsye se pse. Mirëpo, pak pas transferimit të pushtetit në veri, Komisioni Europian pati thënë për KALLXO.com se “marrim parasysh njoftimin për zgjedhjet e reja parlamentare në fund të dhjetorit dhe nënvizojmë rëndësinë e një procesi zgjedhor të administruar mirë dhe konkurrues – duke përfshirë pjesëmarrjen, certifikimin e partive politike dhe akreditimin e mediave nga të gjitha komunitetet.”

Në vijim, BE-ja deklaroi se është e gatshme të punojë me institucionet e Kosovës sapo ato të dalin nga zgjedhjet dhe se do të vazhdojë ta mbështesë vendin në rrugën e integrimit europian. Po ashtu, theksoi se pret që Kosova të rikthehet në kursin e duhur të reformave, në interes të qytetarëve dhe të progresit në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Një ndër kushtet që të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës që tashmë e më shumë se dy vite i ka vendosur Bashkimi Europian, ishte që serbët e Kosovës të kenë mundësi të votojnë për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat e veriut. Edhe pse Kosova organizoi votime “për ose kundër shkarkimit të kryetarëve shqiptarë” në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, në vitin 2024, masat nuk u hoqën. Lista Serbe (LS) i bojkotoi. Kryetarët shqiptarë mbetën në pozitat e tyre deri në zgjedhjet e fundit lokale.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e ktheu pushtetin në katër komunat me shumicën serbe duke i fituar secilën prej tyre në zgjedhjet e 12 tetorit 2025, tri vjet pasi i kishte bojkotuar institucionet kosovare dhe i kishte braktisur zgjedhjet e mëparshme lokale.

Milan Radojeviq ka marrë udhëheqjen e Mitrovicës së Veriut, e cila drejtohej nga Erden Atiq. Në Leposaviq ka përfunduar mandatin Lulzim Hetemi dhe e ka marrë Zoran Todiq. Në krye të Zveçanit që drejtohej nga Ilir Peci erdhi Dragisha Miloviq. E në Zubin Potok mandatin e kryetarit e mori Milosh Peroviq. Kjo komunë për rreth tri vjet ishte udhëhequr nga Izmir Zeqiri.

Masat ndaj Kosovës u vendosen në qershor të vitit 2023 si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj nisën punën e tyre në Komunat në veri, pas Zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë.

Krerët e Kosovës dhe liderët e partive ish-opozitare vazhdimisht në çdo takim me personalitete të larta të cilët vijnë nga shtetet anëtare të BE-së, kanë kërkuar nga Bashkimi Europian dhe vendet anëtare që të heqin masat, duke i quajtur ato të padrejta.

Prej majit 2025, kur në Kosovë ishte shefja e BE-së, Kaja Kallas, në bazë të përgjigjeve të një zëdhënësi të BE-së, kishte nisur heqja e masave që kanë të bëjnë me projektet e Asistencës Teknike, investimet në kuadër të Mekanizmit për Reformë dhe Rritje si dhe në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

“Konkretisht, katër projekte të Asistencës Teknike, që mbështesin investime të mundshme në kuadër të Mekanizmit për Reformë dhe Rritje, janë paraqitur sërish në Bordin e Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (ëBIF) dhe janë miratuar më 28 korrik”- kishte thënë një zëdhënës i BE-së për KALLXO.com.

Një hap tjetër sipas Komisionit Europian, është se ka rifilluar puna e nën-komiteteve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Kosova nuk merr ftesa, po ashtu, në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat e tjera ishin edhe suspendimi i programit të fondeve për Kosovën, në kuadër të IPA 2024 (Fondet e Para-Anëtarësimit).

Instituti GAP në qershor 2025, përmes një raporti erdhi në përfundim që si pasojë e masave të vendosura nga qershori 2023 nga BE, Kosova i ka humbur tërësisht 7.1 milionë euro.

Gjetjet e këtij Instituti vënë në pah se masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës kanë rezultuar me pasoja të theksuara financiare dhe zhvillimore – duke i kushtuar vendit rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara, ose të shtyra për një afat të pacaktuar.

“Brenda kësaj shume për shkak të kalimit të afateve të lejuara për nisjen e procedurave për Projekte të caktuara, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht” – shkruan në raportin “Ndikimi financiar i masave të Bashkimit Europian ndaj Kosovës”.

Sipas të dhënave nga GAP,  deri në qershor 2025, sektorët më të prekur përfshijnë mjedisin me 350.7 milionë euro, energjinë me 114.4 milionë euro, digjitalizimin me rreth 57 milionë euro dhe kulturën me 15 milionë euro.