Osmani në Luksemburg: E domosdoshme përballja me drejtësinë e grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ëeshtë e domosdoshme përballja me drejtësinë e grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia, të cilat e sulmuan Policinë e Ksoovës, KFOR-in dhe gazetarët.

Këtë deklaratë Osmani e ka bërë gjatë vizitës zyrtare ngë Luksemburg, ku është pritur nga kryeministri i këtij shteti Xavier Bettel.

“Temë e diskutimit në këtë takim ishte edhe situata aktuale politike dhe e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në veri të vendit pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policor të Kosovës nga ana e Serbisë. Më tej, Presidentja Osmani tha se Kosova është ë përkushtuar për paqe e stabilitet dhe se sfidat do t`i tejkalojë me partnerë dhe aleatë” – ka njoftuar presidenca.

Sipas njoftimit, presidentja Osmani ka theksuar nevojën e shtimit të angazhimit të ndërmjetësuesit të dialogut, BE-së, drejt zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër.

“Presidentja e falënderoi kryeministrin Bettel për mbështetjen zhvillimore ofruar Kosovës, sikurse për liberalizimin e vizave. Njëkohësisht, Presidentja Osmani shprehu besimin për vazhdimin e mbështetjes në rrugën evropiane të Kosovës” – thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka thënë se organet e sigurisë kanë rritur nivelin e gatishmërisë, pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policorë kufitar të Kosovës dje në Leposaviq.

Kurti, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë tha se janë rritur kontrollet gjithashtu në pikë-kalimet kufitare me shtetin serb.