Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Foto: KALLXO.com

Osmani: Kemi shumë punë për të përmbushur demokracinë në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se kanë shumë punë të përmbushur nivelin e demokracisë në vend.

Sipas saj, demokracia mund të quhet e mirëfilltë vetëm atëherë kur zëri i secilit dëgjohet, dhe kur askush nuk lihet pas.

“Vetëm një demokraci gjithë përfshirëse është një demokraci e qëndrueshme. Kemi ende shumë punë për të bërë për të përmbushur nivelin e demokracisë në vendin tonë”, tha Osmnai duke shtuar se gratë dhe vajzat nuk janë vetëm pjesa tjetër e shoqërisë, ato janë vetë shoqëria.

“Gratë dhe vajzat shpesh kanë dëshmuar se gjithnjë ia dalin, ato asnjëherë nuk do të dorëzohen. Do të ketë gjithnjë një zë që do të flas për to. Ato nuk do të rreshtin së përdori çdo mjet dhe hapësirë për ti treguar qëndrimet e tyre. Demokracia ka nevojë për të dhëna gjinore sepse vetëm në mënyrë të tillë ka gjasa të vërteta të bëhet gjithëpërfshirëse”, tha Osmani.

Presidentja ka folur edhe për zhvillimet në Ukrainë.

“Zhvillimet aktuale po dëshmojnë se demokracia është duke u sfiduar. Kosova dhe populli ynë i ka të freskëta kujtimet e luftës dhe sot zemrat tona rrahin fort kur shohim imazhet në Ukrainë. Sot përderisa flasim për rëndësinë qe mund ta bëjmë për ruajtjen e demokracisë, duhet ta kujtojmë se demokracia triumfon kur qëndron bashkëpunimi”, theksoi ajo.

Ndërkaq, Nancy Soderberg, drejtoreshë e Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë, tha se luten për viktimat e konfliktit në Ukrainë pas sulmeve ruse.

“Lutjet tonë shkojnë për shume viktima në konfliktin në Ukrainë. Ju në Kosovë e dini luftën, plagët janë akoma të freskëta. Të gjithë e dimë që një grua kur është në tavolinën e vendimmarrjes, vendimet zgjidhen me shpjet. Gratë janë më të cenueshmet dhe duhet të trajtohen barabartë”, tha ajo.

Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) po mban konferencën dy-ditore të dhjetëvjetorit të Javës së Gruas, ku po marrin pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ambasadori i SHBA-së, Jeffrey M. Hovenier, dhe kryetarët e partive politike në vend.