Kryeministrin Albin Kurti në takim me kancelarin gjerman Olaf Scholz | Foto: ZKM

Demokracia më e re e Evropës është shndërruar në një front të ri në betejën e ideve SHBA-Rusi

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës po i detyron të gjitha vendet evropiane t’i rishqyrtojnë marrëdhëniet e tyre strategjike dhe ushtarake. Për Kosovën, agresioni i presidentit rus Vladimir Putin e konfirmon besimin se ajo ka nevojë për një partneritet më të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Muajin e kaluar, në ditën kur Suedia dhe Finlanda, në të njëjtën kohë i dorëzuan kërkesat e tyre për anëtarësim në NATO, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ishte në Uashington për ta shprehur kërkesën e tij për rritjen e bashkëpunimit.

Për një vend me më pak se 2 milionë banorë i cili në vitin 2008 e shpalli pavarësinë e saj nga Serbia, bastet nuk mund të ishin më të larta. Me 48 instalime ushtarake serbe që vëzhgojnë përtej kufijve të Kosovës, sipas Kurtit, nuk është çudi që ai e sheh fatin e vendit të tij si një front përcaktues në konfrontimin ideologjik të kohës sonë. Ai e konsideron rajonin e tij një fushëbetejë aktive, por ndonjëherë të anashkaluar në tensionet në zhvillim midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

“Kemi këto dy polet në botë. Ato janë SHBA dhe Rusia”, më tha Kurti. “Sulmi ushtarak i Putinit ndaj Ukrainës është një përpjekje për t’u ulur me Presidentin Biden për një lloj konference e tipit Jalta 2. Kjo është përshtypja ime. Le ta ndajmë botën, sepse nëse nuk e ndajmë botën, do të vazhdojmë të luftojmë. … Kështu ai dëshiron, besoj, ta formësojë atë.”

Shtatë vendet që përbëjnë Ballkanin Perëndimor janë pjesë integrale e atij diskutimi, si për shkak të vendndodhjes së tyre gjeografike ashtu edhe për shkak të konflikteve bashkëkohore rajonale pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1992. Me një popullsi të madhe të serbëve etnikë që jetojnë brenda kufijve të Kosovës dhe anasjelltas, potenciali për grindje civile është gjithmonë i pranishëm.

Kurti më tha se ai vazhdon të bëjë përpjekje për mirëbesim me qëllim de-përshkallëzimin me Serbinë, por këto përpjekje nuk kanë rezultuar pozitivisht deri më tani. Në qendër të tensionit është mosgatishmëria e vazhdueshme e Serbisë për ta njohur Kosovën si një shtet të pavarur e sovran.

“Nuk mund ta njoh Serbinë që nuk e njeh Kosovën. Pra duhet njohje reciproke dhe ne jemi të gatshëm të angazhohemi në këtë dialog”, shpjegoi Kurti.

Kurti shton tutje se një deklaratë e paqes dhe mossulmimit e propozuar nga Kosova në vitin 2021 u refuzua nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, si dhe një plan për t’i mbrojtur reciprokisht të drejtat e pakicave brenda kufijve të njëri-tjetrit. Në vend të kësaj, autoritetet serbe thuhet se filluan t’i largojnë shqiptarët në Serbinë jugore nga listat e votuesve, duke i marrë si arsyetim pretendimet për vendbanimet e tyre.

“Presidenti Vuçiq tha se, ndryshe nga Kosova, Serbia është shembull se si duhet të trajtohen minoritetet”, më tha Kurti. Tutje, Kurti shtoi, disi në mënyrë sarkastike: “Unë i thashë, ‘Atëherë le të shohim se si i trajton Serbia minoritetet dhe unë mund ta përsëris këtë model në Kosovë.” Dhe pastaj ai u zemërua shumë sepse thashë, ‘Ta bëjmë këtë gjë reciprociteti’”.

Mbështetja e Kremlinit për Serbinë është një nxitje e fuqishme për Vuçiqin për ta ruajtur status quo-në. Kosova është terren pjellor për fushatat e dezinformimit në internet për shkak të rregullimit të dobët dhe ligjeve thuajse inekzistente për shpifjen, dhe raportet sugjerojnë se dezinformimi rus është përpjekur ta minojë angazhimin e Kosovës me Perëndimin dhe t’i nxisë narrativat serbe për qeverinë.

“Rusia është absolutisht një kërcënim, duke bërë gjithçka në fuqinë e saj për ta dëmtuar Kosovën,” më tha Reuf Bajroviç, bashkëpunëtor në Institutin e Kërkimeve të Politikës së Jashtme dhe ish-ministër i Energjisë për Bosnje dhe Hercegovinën. “Është ngadalësuar për shkak të përpjekjeve heroike të Ukrainës për ta mbrojtur veten. … Për sa kohë që Ukraina reziston, ne nuk kemi nevojë të shqetësohemi për këtë në një afat të afërt, mirëpo kërcënimi mbetet ende.”

Në betejën e re mbi modelet e qytetërimeve, Kosova e sheh veten si një shembull të vetmuar të ndërhyrjes së suksesshme amerikane në kohët e fundit. Ajo po përpiqet t’i përmbushë pritjet: Zgjedhjet janë mbajtur dhe vëzhguesit e demokracisë thonë se ato janë përgjithësisht të drejta. Kosova është zotuar të pranojë 5000 refugjatë ukrainas. Kosova gjithashtu ka një peizazh mjaft të hapur mediatik dhe ka bërë një përmirësim dramatik prej 17 vendesh në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave 2022 të publikuar nga Reporterët pa Kufij.

Pas disa incidenteve të qytetarëve të Kosovës që iu bashkuan lëvizjeve ekstremiste myslimane në Siri dhe gjetkë, Kosova ka ndërmarrë disa veprime lidhur me to. Sipas Kurtit, disa nga ata luftëtarë janë vrarë në luftë, ndërsa të tjerët janë të burgosur në Kosovë, me gratë dhe fëmijët e tyre duke u riintegruar në shoqëri përmes programeve të financuara nga qeveria.

“Presidenti Putin dëshiron ta kthejë Kosovën në një shtet të dështuar. Pas [ajo që Putin e konsideron] dështimit në Afganistan dhe Irak si shprehje të ndërhyrjeve të SHBA-së dhe NATO-s, ka mbetur vetëm Kosova”, tha Kurti. “Ai dëshiron ta konsiderojë Kosovën një sukses të përkohshëm. Pra, mbrojtja e Kosovës është shumë e rëndësishme.”

Si do të dukej kjo mbrojtje për Kosovën? Një prani e përhershme ushtarake amerikane. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe njohja nga vendet e mbetura të legjitimitetit të tij si shtet.

Sikurse BE, edhe NATO shohin se si disa nga anëtarët e tyre tërhiqen nga angazhimet demokratike – shembull, Hungaria, Polonia dhe Turqia – Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj evropianë duhet të bëjnë çdo investim të mundshëm në nxitjen e idealeve liberale. Mbështetja e këtyre vlerave në Kosovë, demokracinë më të re të Evropës, do ta bënte një rrugë të gjatë drejt sigurimit të së ardhmes demokratike të kontinentit./The Washington Post

Përgatiti: Nuhi Shala