Bruksel - Foto: REL/Shutterstock

Si kanë ndryshuar demokracitë europiane?

Europa shihet si pishtar demokracie. Por edhe në Europë ekspertët vërejnë zhvillime anti-demokratike.

Demokracia është shpikur në Europë. Aty zhvillohen zgjedhje të lira dhe të fshehta, pushteti shtetëror është i ndarë në sektorët përkatës dhe të drejtat themelore janë të garantuara. Një nga arsyet kjo pse çdo vit qindra mijëra vetë që largohen prej luftës, përndjekjes dhe kërkojnë një jetë më të mirë, vijnë në Europë.

Ata ikin kryesisht nga vende që nuk kanë demokraci. Sepse vende si ato të Europës ka gjithnjë e më pak. Bota ka më shumë vende autokrate se sa vende demokratike, thotë raporti për demokracinë i institutit V-Dem të Universitetit të Goteborgut.

Sipas këtij raporti, sot 72 përqind e njerëzve, pra 5,7 miliardë vetë jetojnë në autokraci të zgjedhur ose të vendosur. Në autokracitë e vendosura persona të veçantë ushtrojnë pushtet të pakontrolluar, në autokratitë e zgjedhura zyrtarisht zhvillohen zgjedhje, por ato nuk janë të lira. Vetëm 13 përqind e popullsisë së botës jeton në një demokraci liberale, dhe pjesa më e madhe e tyre ndodhen në Europë.

Zhvillime shqetësuese

Dhe megjithëse demokracitë e Europës vlerësohen si demokracitë më të qëndrueshme, ekspertët vërejnë edhe atje zhvillime shqetësuese. “Disa nga zhvillimet negative më dramatike, të cilat ne i quajmë autokraci vërehen edhe në Europë. Më shumë në Poloni dhe Hungari. Edhe Greqia është një rast aktual dhe shqetësues, megjithëse atje hapat prapaktheu në kualitetin e demokracisë nuk janë edhe aq dramatike,” thotë Martin Lundstedt, studiues i shkencave politike dhe bashkëautor i raportit për demokracinë, raportit VDem.

“Me Poloninë dhe Hungarinë ne shohim dy shtete anëtare të BE-së, që janë duke e shpërbërë aktivisht shtetin ligjor. Në këto vende puna nuk është vetëm tek demokracia, por edhe tek besueshmëria tek institucionet publike, administrata, por edhe përshtatja me ligjet e BE-së,” thotë Maria Skóra, sociologe dhe studiuese ekonomie në institutin për politikën europiane në Berlin, e cila merret kryesisht me studimin e BE-së dhe çfarë e bën një shtet ligjor të fortë dhe rezistent. “Një demokraci e fortë bën që shteti ligjor të funksionojë mirë. Kur shteti ligjor shpërbëhet, shpërbëhen edhe pjesë të tjera të sistemit demokratik.”

 Tendenca anti-demokratike thuajse në të gjitha vendet e Europës

Megjithëse zhvillimet në Poloni dhe Hungari janë më shqetësuese se zhvillimet në vende të tjera, Lundstedt dhe Skóra shohin tendenca antidemokratike pothuajse në të gjitha vendet e Europës. Sepse parti populiste dhe parti të djathta populiste kanë patur sukses në zgjedhje dhe janë shfaqur gjithnjë e më shumë mes rrymave politike.

“Zakonisht kemi të bëjmë me parti ekstreme të djathta, që ose shprehin mosbesim për demokracinë ose dalin hapur kundër saj. Ata sulmojnë për shembull shpesh aspekte të lirisë së shtypit dhe lirisë së mbledhjes së njerëzve bashkë, ose duan të mos ketë ndarje të pushtetit midis ekzekutivit, parlamentit dhe gjykatave”, thotë Lundstedt. Në nivel global kjo tendencë ka çuar në autokratizim më të madh.Megjithatë ka disa vende në të cilat zhvillimet nuk kanë qenë të tilla. Në Europë për shembull demokracitë në Maqedoninë e Veriut, në Moldavi dhe në Slloveni janë liberalizuar sërish.

Por të kënaqur me demokracinë në vendin e tyre, kanë qenë deri tani vetëm një pakicë njerëzish në Moldavi. Sipas një sondazhi të Eurobarometrit, në fillim të vitit 2023, rreth 81 përqind e njerëzve në Moldavi nuk ishin shumë të kënaqur me demokracinë në vendin e tyre. Sa për krahasim, kjo shifër në Europë është mesatarisht 42 përqind e europianeve dhe europianëve.

Polonia dhe Hungaria

Të papritura janë shifrat e sondazhit për Poloninë dhe Hungarinë. Sepse ndërkohë që këto vende janë duke u bërë gjithnjë e më autokrate, gati gjysma e njerëzve atje janë të kënaqur me demokracinë në vendin e tyre.

“Ne jetojmë në kohëra turbulente, në të cilat problemet janë komplekse dhe përgjigjet për to nuk mund të jenë të thjeshta. Por zgjidhja nuk mund të jetë shpërbërja e krejt sistemit politik, shpërbërja e demokracisë. Do ishte mirë që qytetaret dhe qytetarët ta kuptojnë këtë gjë dhe të kenë më shumë besim tek politika. Dhe krijimi i këtij besimi është detyrë e politikës,” thotë Skóra.

Çfarë mund të bëjnë qytetaret dhe qytetarët për të forcuar demokracinë?

Ndërkohë janë analizuar mirë cilat janë motivet që bëjnë që njerëzit të mos e duan demokracinë ose t’ia japin votën partive antidemokratike.

“Faktorët e përmendur më shpesh janë pabarazitë ekonomike, njerëzit që kanë frikë për statusin e tyre, që ndihen të varur si ekonomikisht ashtu edhe nga pikëpamja kulturore. Zakonisht kjo gjë haset më shumë në zonat rurale dhe bën që të krijohet një hendek midis qytetit dhe fshatit. Po ashtu tensionet dhe përçarjet midis grupeve që flasin gjuhë të ndryshme, grupeve etnike dhe grupeve fetare mund të japin  kontribut dhe të bëjnë që njerëzit të përkrahin qëndrimet antidemokratike,” thotë Lundstedt.

Angazhimi qytetar

Për Lundstedt këto motive tregojnë edhe recetën që duhet përdorur nga qytetarët për të forcuar demokracinë në vendin e tyre: “Angazhimi qytetar brenda shoqërisë është një gjë e rëndësishme, me anë të të cilit njeriu takohet me njerëz që vijnë nga profesione të ndryshme, histori të ndryshme, lagje të ndryshme të qytetit, të cilat i sjell me vete në shoqëri, në një kuptim të thellë. Kjo mund të sjellë anëtarësim në një parti, në një klub futbolli, sindikatë apo rreth letrar ose çdo gjë që mund t’i interesojë njeriut. Bërja bashkë me njerëz të tjerë dhe ndëraktiviteti është i rëndësishëm për kualitetin e demokracisë. Sepse kështu njeriu është në gjendje të kuptojë perspektivat e të tjerëve dhe kështu qytetarët, sipas mendimit tim, fillojnë ta besojnë më shumë dhe ta respektojnë më shumë sistemin demokratik.”

Duke patur parasysh zhvillimet në vendet skandinave, Maria Skóra përmend edhe një pikë tjetër: “Ajo që qytetaret dhe qytetarët mund të bëjnë do ishte mbase që të bëhen vetë më rezistentë. Më rezistentë ndaj dezinformimeve, që të mos manipulohen nga Fake News, dhe të mund të dallojnë lajmet e gënjeshtra nga komunikimi legjitim.” Këtu natyrisht që duhet të vihet në punë politika, që të marrë masat e duhura për arsimin./DW