Opinion: Luftë apo paqe? Diktaturë apo demokraci? E ardhmja e Evropës është në rrezik

Në Këshillin Evropian, liberalizmi dhe populizmi do të konfrontohen me njëri-tjetrin. Cilado palë që do të mbizotërojë mund ta vendosë kursin për vitet në vijim.

Kam qenë në më shumë se 20 vende evropiane këtë vit dhe kam parë dy Evropa. Në të gjithë pjesët e mëdha të kontinentit, je ende në një Evropë ku trenat e shpejtësisë së lartë ju kalojnë përtej kufijve që mezi i vini re, ndërsa udhëtoni pa probleme midis demokracive liberale shumë të integruara, të vendosura për t’i zgjidhur të gjitha konfliktet e tyre të mbetura me mjete paqësore. Mirëpo, nëse e merrni një tren të vjetër të ngadaltë vetëm disa orë në lindje dhe po kaloni kohë në strehimoret e bombave dhe po flisni me ushtarë të plagosur rëndë me tregime nga llogoret që të kujtojnë Luftën e Parë Botërore, nëse i marrim parasysh paralajmërimet e autoriteteve ukrainase për sulmet ajrore në qytetet e Ukrainës, atëherë krejt këto ma kujtojnë çdo ditë atë Evropën tjetër.

Ka një dualitet të ndërlidhur në politikën tonë. Shumë vende evropiane kanë ende qeveri në spektrin midis qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë, shpesh me koalicione të ndërlikuara, megjithatë të gjitha të përkushtuara në një mënyrë ose në një tjetër për funksionimin e demokracisë liberale dhe Bashkimit Evropian. Në Poloni, këtë javë mund ta festojmë rikthimin e një qeverie të tillë nën Donald Tusk, duke e arnuar një parti nacionaliste populiste që e kishte kërcënuar në mënyrë të rrezikshme demokracinë e këtij vendi. Nga ana tjetër, partitë nacionaliste populiste të së djathtës së fortë kanë shënuar suksese të dukshme, nga ardhja e Giorgia Melonit si kryeministre italiane vitin e kaluar, deri te fitoret shqetësuese të zgjedhjeve rajonale për Alternativën për Gjermaninë (AfD) dhe fitorja e fundit zgjedhore e Geert Wilders në Holandë. Udhëheqësi hungarez Viktor Orbán është më agresiv se asnjëherë më parë pasi punon kundër interesave dhe vlerave të BE-së, duke shfrytëzuar të gjitha avantazhet e anëtarësimit në të. (Brexit-ersat të paktën kishin ndershmërinë për t’u larguar nga klubi që urrejnë).

Këto dy Evropa do ta bëjnë një betejë politike me njëra-tjetrën në samitin e rëndësishëm të BE-së që nis të enjten në Bruksel. Ajo që ata vendosin do të ndikojë ndjeshëm në çështjen më të madhe nëse ne po shkojmë drejt një Evrope të luftës apo paqes, të diktaturës apo demokracisë, të shpërbërjes apo të integrimit. Pushtimi i plotë i Ukrainës nga Vladimir Putini më 24 shkurt të vitit 2022 i dha fund periudhës së post-Murit të Berlinit – atë që filloi me rënien e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989 – dhe tani jemi në vitet formuese të një periudhe të re, emrin e së cilës nuk e njohim ende. Në politikë, si në marrëdhënie, fillimet janë me shumë rëndësi. Vitet e para pas vitit 1945 i vendosën parametrat bazë për një rend evropian që zgjati dekada më pas, siç bën vitet menjëherë pas 1989-ës.

Në aspektin intelektual, liderët evropianë e dinë këtë. Është subjekt i fjalimeve të mijëra politikanëve dhe webinarëve të grupeve të ekspertëve. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës i ka ndryshuar ndjeshëm qëndrimet ndaj sigurisë në vende të tilla si Gjermania dhe Danimarka, për të mos përmendur Finlandën dhe Suedinë, të katapultuara nga neutraliteti i gjatë në anëtarësimin në NATO. Por emocionalisht dhe në shoqërinë e gjerë, kjo është shumë më pak e qartë. Në fillim të këtij viti, një student në Universitetin e Göttingen-it më pyeti nëse mendoja se do të kishte një gjeneratë të re evropiane të “22-shave” – angazhimi i tyre për ta ndërtuar një Evropë më të mirë të formësuar nga ndikimi i luftës më të madhe në Evropë që nga viti 1945. Unë po e bëj të njëjtën pyetje në të gjithë kontinentin që atëherë, mirëpo reagimet nuk janë inkurajuese. Edhe në Republikën Çeke dhe Sllovaki, njerëzit e tundin kokën dhe thonë “jo në të vërtetë”. Në vende më në perëndim, si Italia, Spanja, Portugalia apo Irlanda, përgjigjia negative është edhe më bindëse.

Pjesërisht kjo ndodh për shkak të vetë fuqisë së rendit evropian të ndërtuar që nga viti 1945, dhe i zgjeruar dhe i thelluar që nga viti 1989. Njerëzit që jetojnë në vendet që i janë pjesë e NATO-s dhe BE-së ende nuk besojnë se lufta mund të trokasë në dyert e tyre. Me një grumbull problemesh në shtëpi, nga inflacioni deri te shtetet në vështirësi të mirëqenies, ata janë kuptueshëm ngurrues për t’u përballur me sfidat e frikshme përreth nesh, nga lufta në lindje tek presionet që kanë të bëjnë me migrimin në jug, nga shkrirja e akullit në veri për perspektivën e një presidence të dytë të Donald Trump në perëndim. Dhe politikanët e tyre hezitojnë t’ua thonë këtë fakt atyre në mënyrë të drejtpërdrejtë nga frika se mos nuk po rizgjidhen.

E përçarë mes këtyre dy Evropave, BE-ja supozohet t’i adresojë shumë nga këto çështje përpara Krishtlindjeve. Në Këshillin Evropian të kësaj jave, liderët e BE-së duhet ta marrin vendimin jetik për t’i hapur negociatat e anëtarësimit me Ukrainën, t’i japin asaj mbështetje të vazhdueshme ushtarake dhe financiare (veçanërisht për shkak se ajo nga Uashingtoni është në rrezik) dhe ta shtojnë buxhetin e BE-së për ta bërë të mundur një gjë të tillë. Mirëpo, kryeministri hungarez Orbán kërcënon të vërë veton ndaj gjithë kësaj. Ata gjithashtu kanë për qëllim ta diskutojnë luftën Izrael-Hamas – në të cilën BE-ja ka qenë e ndarë dhe joefektive, megjithëse konflikti i lartcekur i kërcënon drejtpërdrejt marrëdhëniet ndërkomunale në shoqëritë tona – si dhe politikën e sigurisë dhe mbrojtjes që bëhet urgjente ndërsa përballemi me perspektivën e një Presidenti Trump 2.0 duke e tërhequr përkrahjen e SHBA ndaj Ukrainës.

Javën e ardhshme, ministrat e financave të BE-së supozohet të dakordohen për një marrëveshje kompromisi franko-gjerman mbi rregullat e reja fiskale aq të komplikuara dhe të paqarta sa që, edhe me një peshqir të ftohtë e të lagur të mbështjellë rreth kokës, është e vështirë t’i kuptosh ato. Megjithatë, rritja e ardhshme ekonomike e Evropës dhe punët që ofrojnë shanse jete për të rinjtë evropianë, do të varen nga efekti i tyre.

Presidenca spanjolle e BE-së gjithashtu aspiron (shpresa kundër shpresës!) të arrijë marrëveshje për një paketë të re të BE-së për politikën e migracionit. Çështja e migracionit po e trondit politikën e shumicës së vendeve evropiane. Italia ka bërë një marrëveshje me Shqipërinë për t’i përpunuar azilkërkuesit atje. Qeveria e koalicionit të Gjermanisë po prezanton një pako të re të ashpër të politikave të migracionit. Në Francë, qeveria e Emmanuel Macron sapo pësoi një disfatë dërrmuese në projektligjin e ri të emigracionit. (Në këtë aspekt, Britania është një vend krejtësisht tipik evropian, me përjashtim të faktit se ajo nuk e njeh atë dhe dëshiron t’i bëjë të gjitha vetë).

Në themel të të gjitha këtyre çështjeve, mjaft të mëdha në vetvete, është një çështje edhe më e madhe: A mundet një bashkësi politike demokratike, e bazuar në ligj, e 27 vendeve shumë të ndryshme, pa një hegjemon të vetëm, të qëndrojë unik dhe të japë rezultat? Çështja e reformimit të BE-së në mënyrë që ajo të mos mund të përmbyset nga aktorë mashtrues, të tillë si Orbán, në përgjithësi shtrohet në kontekstin e një zgjerimi të mundshëm për ta themeluar një Union prej më shumë se 35 shtetesh anëtare, por dilema tashmë mbetet aty. Duke qenë se politika e partive evropiane fragmentohet, kjo do të thotë të përballesh jo vetëm me 27 interesa të ndryshme kombëtare, por me kompleksitetin e shtuar të qeverive të shumta të koalicionit. Dhe le të jemi të qartë: ky lloj dhe përmasa e bashkimit johegjemonik me pëlqim nuk është bërë asnjëherë më parë në historinë evropiane dhe nuk ka asnjë të ngjashëm askund tjetër në botën e sotme.

Cila nga dy Evropat do të mbizotërojë?

Është pyetja që më është bërë kudo këtë vit, pasi padyshim, historianët duhet ta dinë të ardhmen. Mirëpo, përgjigja nuk qëndron në ndonjë proces të pashmangshëm historik, por tek ne. Varet pikërisht nga ne./The Guardian

Timothy Garton Ash është kolumnist i The Guardian. Libri i tij i fundit, “Homelands: A Personal History of Europe” po botohet në më shumë se 20 gjuhë evropiane.

Përgatiti: Nuhi Shala