Bjellorusia e dënon me 15 vjet lideren e opozitës në internim

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

Një gjykatë bjelloruse e ka dënuar me 15 vjet burg lideren e opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya, e cila po gjykohet në mungesë.

Të hënën, një gjykatë në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, i dha një dënim 15-vjeçar lideres së opozitës në mërgim Sviatlana Tsikhanouskaya, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Belta.

Tsikhanouskaya, e cila po gjykohet në mungesë, u arratis nga Bjellorusia pasi kandidoi për presidente në vitin 2020 kundër Alexander Lukashenkos.

Për çfarë akuzohet Tsikhanouskaya?

40-vjeçarja akuzohet për komplot për marrjen e pushtetit dhe për tradhti të lartë. Protestat masive të cilat i pasuan zgjedhjet, me opozitën dhe qeveritë perëndimore që pretenduan se votimi – i cili i mundësoi Lukashenkos ta ngulfasë pushtetin me një mandat të gjashtë – ishte i manipuluar.

Demonstratat ishin më të mëdhatë dhe më të gjata që nga ardhja e Lukashenkos në pushtet në vitin 1994. Regjimi i Llukashenkos nisi një sulm brutal kundër protestuesve, me më shumë se 35,000 njerëz të arrestuar.

Tsikhanouskaya po gjykohet së bashku me katër figura të tjera opozitare, gjithashtu në mungesë, në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk. Ajo aktualisht e udhëheqë opozitën nga mërgimi në Lituani.

Të pestit u larguan nga Bjellorusia në vazhdën e zgjedhjeve dhe protestave. Mbështetësit e Tsikhanouskayas i kanë hedhur poshtë akuzat kundër saj si një farsë të motivuar politikisht.

Një gjykatë e Minskut i dha një dënim me 10 vjet burg aktivistit fitues të çmimit Nobel Ales Bialiatski të premten, në një vendim të dënuar gjerësisht ndërkombëtarisht.

Bialiatski u arrestua në vitin 2021 dhe së bashku me tre të pandehur të tjerë u akuzua për financim të protestave dhe kontrabandë parash. 60-vjeçari e themeloi grupin më të shquar të të drejtave të kombit autoritar, Viasna, dhe ka qenë vazhdimisht në shënjestër nga forcat e sigurisë.

Ndërkohë që Rusia dhe Bjellorusia janë aleate në një “Union shtetesh”, që e sheh Moskën si partnerin shumë më të fuqishëm, Lukashenko i ka hedhur poshtë raportet e mediave këtë javë se Kremlini ka hartuar një plan për ta absorbuar Bjellorusinë deri në vitin 2030.

Lukashenko, një aleat prej kohësh i presidentit rus Vladimir Putin, lejoi që Bjellorusia të përdoret si një stacion për pushtimin e Ukrainës nga Moska në shkurt të vitit 2022./DW

Përgatiti: Nuhi Shala