Abbot me video përshëndetëse: Ju siguroj që gjithmonë do jeni në zemrat tona

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbot ka publikuar një video përshëndetëse me rastin e përfundimit të mandatit të tij si ambasador.

Në video përshëndetëse, ai si një nga momentet më përkujtuese e përmendi ndeshjen e futbollit mes Kosovës dhe Anglisë.

“Mikpritja e ngrohtë e kosovarëve për një ambasador britanik e ka bërë punën dhe jetesën këtu si asnjë post tjetër që kam mbajt ndonjëherë” – theksoi Abbot.

Abbot thotë se gjatë 4 vjetëve e gjysmë sa ishte ambasador, pati sfida, siç ishte COVID-i, por që lidhja e fortë mes dy vendeve nënkupton se Kosova e Anglia mbesin aleatë dhe partnerë.

Ambasadori britanik tha se është krenar për trajnimet që po i ofrohen FSK-së, punën që kanë bërë me Doganën dhe ATK-në si dhe mbështetjen për familjet që ende presin të zhdukurit.

Konteksti ndërkombëtar sipas tij mbetet sfidë, teksa fton udhëheqësit e Kosovës të krijojnë një vizion modern për vend demokratik që mbështet, inkurajon dhe mbron qytetarët e të gjithë komuniteteve.

Abbot thotë se më së shumti ka pëlqyer takimet me qytetarët e Kosovës, kudo që ka shkuar.

“Ky është një vend i veçantë që meriton sukses, ju siguroj që gjithmonë do jeni në zemrat tona”- përfundoi videon Abbot.