Osmani i kundërpërgjigjet ambasadorit Hill: Vetëm një shtet është më larg NATO-s se Serbia, e ai është Rusia

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i është kundërpërgjigjur deklaratës së ambasadorit të ShBA-së në Serbi, Christopher Hill, i cili në një intervistë për RTS-in tha se Serbia është më afër NATO-së sesa Kosova.

Në një deklarim para mediave, Osmani tha se ata që thonë se Serbia është afër NATO-së përveç që fyejnë shtetet demokratike, fyejnë edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit.

“Serbia është është shtet që ka kryer krime lufte dhe akoma fle mbi varreza masive  Kështu që më lejoni të them troç: kushdo që e konsideron Serbinë që është shtet që është afër NATO-s nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkret drejt anëtarësimit në NATO, por njëkohësisht i ofendon edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit”- tha Osmani.

Presidentja e Kosovës  tha se Serbia është shtet larg NATO-së dhe as nuk mund të ëndërroj të jetë pjesë e saj.

“Ekziston vetëm një shtet që është më larg NATO-s se Serbia, e ai shtet është Rusia e Putinit. Një shtet si Serbia, që vazhdimisht ka shkelur vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO, mbrojtjen nga forcat autoritare, mbrojtjen nga shtetet që shkelin rregullat bazike të së drejtës ndërkombëtare, lëre më që është larg NATO-s, por as që mund të ëndërrojë një ditë të jetë pjesë e NATO-së”- deklaroi ajo.

Hill për televizionin shtetëror serb RTS, më 19.03.2024 kishte thënë se “nëse shikohet se kush është partner i NATO-s, Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova”.