Osmani falënderon Begajn: Faleminderit që jeni gjithnjë pranë Kosovës dhe qytetarëve tanë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Në një postim në Facebook, Osmani tha se 18- vjetori i Pavarësisë së Kosovës bashkoi dy liderët në një armosfereë festive.

“18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës na bëri bashkë me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në një atmosferë festive. Faleminderit që jeni gjithnjë pranë Kosovës dhe qytetarëve tanë, Zoti President!”- ka shkruar Osmani në Facebook.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj mori pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me rastin e 18 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në fjalën e tij, ai tha se Kosova dhe Shqipëria janë një komb që rreh në dy shtete.

“Ne jemi një komb që rreh në dy shtete. Shqipëria është shteti juaj ashtu sikur Kosova është shpirti ynë”- ka thënë Begaj.

Presidenti shqiptar u shpreh se historia e Kosovës nuk mund të kuptohet e as të shkruhet pa emrat e ish-peridentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi e ish-deputetit Rexhep Selimi.

“Sot, mendimi ynë është edhe me ata që po përballen me një betejë të vështirë, të padrejtë dhe vendimtare në Hagë. Historia e Republikës së Kosovës nuk mund të kuptohet dhe as të shkruhet pa emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veslit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre”- ka deklaruar Begaj.

Kosova, shtet i pavarur dhe demokratik ka mbushur 18 vjet.

17 shkurti, shënon fillimin e një kapitulli të ri shtetformues, të mbështetur mbi aspiratën për demokraci, barazi dhe integrim euro-atlantik.

Nga një vend i dalë nga lufta dhe administrimi ndërkombëtar, Kosova ndërtoi institucionet e saj, miratoi Kushtetutën dhe filloi rrugëtimin drejt konsolidimit të shtetit ligjor dhe zhvillimit ekonomik.

Prej asaj dite që Kosova u kurorëzua shtet, Kosovën e kanë njohur 121 shtete; është anëtarësuar në mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtar; ka themeluar dhe konsoliduar institucionet e saj; ka lirinë e lëvizjes; ka Forcën e Sigurisë, dhe shumë suksese të tjera.

Në Prishtinë  sot nga ora 14:00 u mbajt marshi gjithëpopullor në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë për krime lufte.

Platforma qytetare “Liria ka Emër” organizoi këtë marsh me moton “Drejtësi, jo politikë”.

Protesta është mbështetur nga Presidentja Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, ministri i Jashtëm Glauk Konjufca dhe pothuajse nga të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës.

Mbështetje kanë shprehur edhe udhëheqës politikë nga Shqipëria dhe politikanë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut. Marshi është përkrahur gjithashtu nga figura të ndryshme të kulturës dhe sportit, kryesisht nga Kosova.