Osmani: Epopeja e UÇK-së e përcaktoi fatin tonë si popull dhe si shtet

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në seancën solemne në nder të Epopesë së UÇK-së, tha se muaji mars sjell në vëmendje periudhën me të lavdishme të historisë së Kosovës.

Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç tha ajo, e ka përcaktuar fatin tonë si popull e si shtet.

“Sa herë vjen marsi kujtimet tona rikthejnë në vëmendje periudhën me të lavdishme të historisë së popullit tonë që lidhet me përpjekjet tona për liri dhe për shtet. Marsi është muaji ku shpirti i paepur i Adem Jasharit dhe UCK-së i dha hov luftës kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Prandaj serish vjen marsi nuk është vetëm një refren kënge, është moto e kujtesës dhe nderimit të luftës tonë për liri dhe pavarësi e cila pa dyshim identifikohet me kryepersonazhin e luftës tonë komandantin legjendar Adem Jasharin dhe gjithë UCK-në”- u shpreh presidentja Osmani.

E para e shteti përkujtoj se më 5, 6, 7 mars 1998 të gjithë anëtarët e familjes Jashari treguan heroizëm e sakrificë te pashoq duke mbrojtur pragun e shtëpisë së tyre.

“Pragu i shtëpisë së Jasharajve simbolizonte gjithë Kosovën. Përball tiranisë dhe padrejtësisë gjigandi Adem Jashari personifikon guximin dhe përkushtimin e palëkundur për liri. Ai dhe familja e tij refuzuan të përkulen”- tha ajo.

Tutje presidentja e vendit tha se ata e udhëhoqën betejën për liri, prandaj sipas saj, u detyrohemi komandantit legjendar me familje, secilit luftëtar, secilit veteran e invalid të UÇK-së, me mirënjohje të përhershme.

Më 5 mars në Kosovë ka filluar Epopeja  e UÇK-së, që këtë vit shënon 26 vjetorin e rënies së familjes heroike Jashari në Prekaz.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar disa herë nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethimi dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.