Osmani: Adresë e presionit duhet të jetë Beogradi që nuk po zbaton marrëveshjet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se dialogu është i suksesshëm vetëm kur të ketë zbatim të plotë të marrëveshjes.

Ajo thotë se adresa e presionit duhet të jetë Beogradi sepse arsyeja pse nuk po zbatohen marrëveshjet është Beogradi.

“Siç e dini, më 26 tetor Kosova ka ofruar që të nënshkruhen marrëveshje në mënyrë që pala serbe të mos i ikë pastaj obligimeve për zbatim. Serbia nuk ka shprehur gatishmëri për të nënshkruar e aq më pak për të zbatuar. Pa zbatim të plotë të marrëveshjes nuk mund të flasim për dialog të suksesshëm. Nëse injorohet fakti që Serbia po mohon zbatimin e marrëveshjes unë nuk pres dialog të suksesshëm” – deklaroi Osmani.

Presidentja ka folur edhe për marrëveshjen mes Kosovës dhe NATO-s të vitit 2013 për mosdërgimin e ushtrisë në veri.

“Nuk ka qenë marrëveshje në interes të Kosovës, të jem e qartë. Kosova është vend serioz që mbi të gjitha e respekton NATO-n si aleancë që e siguron vendin tonë dhe sigurinë e qytetarëve tanë. Edhe këtë marrëveshje duhet ta shohim në suaza të tilla. Kemi diskutuar sot edhe për këtë marrëveshje, gjithnjë duke supozuar se do të respektohet renditja e përgjegjësve për sigurinë në Kosovë. E para është Policia e Kosovës, i dyti është EULEX-i nëse ka kërkesë nga institucionet e Kosovës dhe përgjegjësi i tretë është NATO” – tha Osmani.

Presidentja e Kosovës thotë se presidenti serb Vuçiq në vend që ta ekstradojë Millan Radoiçiqin ai po i ofron infrastrukturë për sulme të reja.

“Serbia jo vetëm që nuk e ka ekstraduar udhëheqësin e atij sulmi terrorist, për nga aspekti praktik sepse për nga aspekti politik udhëheqës ka qenë Vuçiqi. Ne i ndajmë informatat që institucionet tona i mbledhin me aleatët tanë dhe bashkëpunojmë që sulmet e tilla të parandalohen në të ardhmen”, shtoi Osmani.

Osmani ka shtuar se për të siguruar që të mos përsëriten rastet si ai i sulmit në Banjskë duhet të ketë bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe aleatët.