Një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për garën automobilistike ku vdiqën 3 persona

Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaj për Arlind Sylën dhe Irfan Hotin, dy të dyshuarit  për aksidentin tragjik në një garë automobilistike në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku mbetën tre persona të vdekur.

Sipas njoftimit, të njëjti dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – rrezikimi i trafikut publik.

Sipas Gjykatës, të pandehurit janë marrë vesh dhe kanë organizuar garë të kundërligjshme automobilistike.

Ndërsa thuhet se ata kishin lëvizur paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, dhe në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast ky i fundit humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit.

“Rrjedh dyshimi i bazuar se me datë 16 dhjetor 2023, rreth orës 22:30, në autostradën ‘’Ibrahim Rugova’’ në Prizren, saktësisht me dashje dhe në bashkëkryerje, veprojnë në kundërshtim me Rregullat e Trafikut Rrugor, në atë mënyrë që paraprakisht, merren vesh dhe organizojnë garë të kundërligjshme automobilistike, ashtu që të pandehurit, A.S., dhe I.H., lëvizin paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, dhe në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast i pandehuri A.S., humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin tjetër i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të austostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët – viktimat N.B., M.D., dhe L.S, të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës dhe në të njëjtën kohë u shkakton lëndime trupore të dëmtuarve M.Z., S.Z., dhe B.P., të cilët gjithashtu ishin në vendin kritik duke e ndjekur zhvillimin e garës automobilisitke në mes të të pandehurve”- thuhet në njoftim.

Po ashtu thuhet se me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se rasti është në fazën fillestare të hetimeve, dhe do të merren në pyetje të pandehurit dhe dëshmitarët eventualë.

“Andaj me lënien në liri të të pandehurve ekziston i posaçëm se të njëjtit do të pengojnë rrjedhën e procedurë hetimore, duke tentuar të ndikojnë në dëshmitarë apo tek bashkë të pandehurit”- thuhet tutje në njoftim.

Ndërsa theksohet se Gjykata ka konstatuar se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale për të cilat dyshohen të pandehurit, dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale, duke ndërmarrë veprime të rrezikshme.

“Të gjitha këto shtojnë dyshimin se me lënien e të të pandehurve në liri të njëjtit mund të përsëris veprën penale, apo mund të ipen në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale”- thuhet në komunikatë.

KALLXO.com ka raportuar se 57 tiketa janë të regjistruara përgjatë viteve 2022-2023 për Irfan Hotin, njërin nga të arrestuarit.

Këto statistika ka arritur që t`i siguroj KALLXO.com nga Policia, gjegjësisht Drejtoria e trafikut.

Ndërsa i dyshuari tjetër Arlind Syla në total ka 9 tiketa trafiku.

Gjithashtu siç ka mësuar KALLXO.com, Irfan Hotit gjatë vitit të kaluar i ishte konfiskuar patentë shoferi për 3 muaj, ndërsa i ishte dorëzuar të njëjtit prapë.

Dy të arrestuarit për aksidentin në të cilin vdiqën tre persona me dhjetëra gjoba në trafik