Dy të arrestuarit për aksidentin në të cilin vdiqën tre persona me dhjetëra gjoba në trafik

57 tiketa janë të regjistruara përgjatë viteve 2022-2023 për Irfan Hotin, njërin nga të arrestuarit për aksidentin me fatalitet i cili ndodhi dy netë më parë në Autostradën “Ibrahim Rugova”.

Këto statistika ka arritur që t`i siguroj KALLXO.com nga Policia, gjegjësisht Drejtoria e trafikut.

Tre persona kanë vdekur si pasojë e goditjes me veturë përgjatë një gare automobilistike që po zhvillohej rrëth orës 21:00 të shtunën e 16 dhjetorit në Autostradën “Ibrahim Rugova”.

Sipas dojses së prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com, dy të dyshuarit Irfan Hoti dhe Arlind Syla, janë marrë vesh dhe kanë organizuar garë të kundërligjshme automobilistike në mbrëmjen e 16 dhjetorit.

Ata kishin lëvizuar paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, dhe në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast ky i fundit humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin e markës ‘’VW Golf’’, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të austostradës.

Për pasojë ishin goditur për vdekje këmbësorët – viktimat N. B., M. D. dhe L. S., të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës.

KALLXO.com ka arritur që të siguroj disa statistika të cilat flasin për numrin e lartë të gjobave që u janë shqiptuar dy tashmë të arrestuarve që dyshohen për aksidentin me fatalitet.

Për Irfan Hotin, KALLXO.com mëson se ai përgjatë dy viteve të fundit ka të regjistruara 53 tikeka trafiku, 15 prej tyre janë shqiptuar nga njësiti i trafikut rajonal Gjakovë.

Ndërsa i dyshuari tjetër Arlind Syla në total ka 9 tiketa trafiku.

Gjithashtu siç ka mësuar KALLXO.com, Irfan Hotit gjatë vitit të kaluar i ishte konfiskuar patentë shoferi për 3 muaj, ndërsa i ishte dorëzuar të njëjtit prapë.

Dosja e Prokurorisë ndaj dy të arrestuarve për garën automobilistike ku vdiqën 3 persona

Siç kanë thënë burimet brenda Policisë në Gjakovë për KALLXO.com, gara të tilla automobilistike janë të shumta e disa prej tyre edhe janë ndaluar pasi Policia kishte marrë informacione për to.

Me ngjarjen tragjike që ndodhi dy netë më parë, të dyshuarit Irfan Hoti e Arlind Syla, dyshohen se kanë kryer veprën penale të rrezikimit të trafikut.

Sipas Kodit Penal nga neni 370, rrezikimi i trafikut publik që sjell për pasojë vdekjen e një apo më shumë personave, dënueshmëria minimale është 3 vite kurse ajo maksimale 12 vite.

Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet” – përshkruhet në paragrafin 5 të nenit 370 të Kodit Penal.

Sa mund të dënohen të arrestuarit për garën në Autostradën ‘Ibrahim Rugova’?

Për ngjarjen e rëndë në autostradë ka pasur edhe reagime publike.

Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini i cili tha se kjo ngjarje ka goditur rëndë tri familjet.

“Jam jashtëzakonisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen e hershme nga jeta të tre djemve të ri nga Gjakova.Kjo ngjarje tragjike ka goditur rëndë 3 familje, por dhimbje për këtë humbje ka sot secili prej nesh.Në emër të qytetarëve të Gjakovës ngushëlloj familjet Syla, Delija dhe Bibaj për humbjen e bijve të tyre” – ka thënë Gjini.

Ndërkohë edhe ish kryetarja e Gjakovës, deputetja Mimoza Kusari – Lila, ka reguar, duke thënë se vdekjet e shkakutara nga papërgjegjësia dhe veprimi i jashtëligjshëm në trafik, thërrasin sipas saj, për veprime të mënjëhershme dhe masa të ashpëra.