Pamje nga fillimi i takimit trepalësh në Ohër

Nis takimi trepalësh në Ohër

Në Ohër ka filluar takimi tripalësh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian.

Para se të fillojë takimi, shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i BE-së, Josep Borrell, ka takuar veç e veç liderët e të dyja vendeve.

Para takimeve, Borell tha se sytë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor sot janë kthyer kah Ohri.

“Sytë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor sot janë të kthyer kah Ohri. Pas një rrugëtimi diplomatik midis Beogradit dhe Prishtinës, do të diskutojmë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti Aneksin e Zbatimit – një pjesë integrale e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”- ka shkruar Borrell.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga qyteti i Ohrit para fillimit të takimeve tha se është i vëmendshëm dhe do të bëjë më të mirën për Republikën e Kosovës.

“Përveç se jam optimist, kam ardhur me vullnet të mirë, dhe me mirëbesim që dakordimin e arritur me herët ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshje. Do të kemi bisedime për planin e zbatimit sepse nuk ka tekst të përfunduar. Unë jam këtu për dialog parimor, të hapur e serioz, që duhet të rezultojë me marrëveshje, marrëveshja nënkupton tekst përfundimtar. Pra nuk kam ardhur për bisedime për bisedime por për bisedime për marrëveshje”- është shprehur Kurti.

Në Ohër të Maqedonisë së Veriut sot pritet të mbahen takimet e radhës në kuadër dialogut Kosovë-Serbi.

Takimi i Ohrit ishte paralajmëruar më datën 27 shkurt, ku u zhvillua një takim me dakordim për planin franko-gjerman, mirëpo pa marrëveshje të nënshkruar.

Bashkimi Evropian dhe SHBA-të vazhdimisht kanë kërkuar nga palët ta pranojnë planin franko-gjerman, pasi që sipas tyre kjo është një marrëveshje e mirë për të ardhmen e të dyja vendeve.

Përmbajtja e planit franko-gjerman