Foto: Kallxo.com

Nis mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

Ka filluar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për të caktuar seancën për shpërbërje të Kuvendit.

Në këtë mbledhje po marrin pjesë të gjithë përfaqësuesit e partive politike.

Fillimisht në sallën e mbledhjes kanë ardhur kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi dhe shefi i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu.

Ndërsa pasi mediet janë larguar nga salla e mbledhjes, kanë ardhur edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Abdullah Hoti dhe dhe shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Në rendin e ditës të kësaj mbledhje janë përgatitjet për mbajtjen e seancës plenare për shpërndarjen e Kuvendit të Legjislaturës së VI.

Të gjitha partitë politike deri më tani janë shprehur se janë të gatshme të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.

Vendimi i Veselit për të ftuar kryesinë e Kuvendit për të caktuar seancën për shpërbërje është marrë vetëm pak orë pas letrës që presidenti Hashim Thaçi i kërkoi atij të propozojë mandatarin e ri për kryeministër.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, përmes një shkrese zyrtare dërguar bartësit të koalicionit fitues të zgjedhjeve të fundit, Kadri Veselit, i ka kërkuar edhe zyrtarisht koalicionit PAN që të propozojnë kandidatin e ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë letër të presidentit Thaçi drejtuar Veselit thuhet se si koalicion fitues që kanë fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë, kanë të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Veseli në përgjigjen drejtuar Thaçit ka thënë që nuk do të ketë mandatarë të tjerë por do të ketë zgjedhje.