Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli - Foto: Atdhe Mulla

Veseli-Thaçit: Nuk ka mandatar të ri, por zgjedhje të reja

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka njoftuar se i ka kthyer përgjigje presidentit të vendit, Hashim Thaçi, në lidhje me shkresën në të cilën ai i kishte kërkuar që t’ia dërgojë emrin e mandatarit të ri të qeverisë nga koalicioni PAN.

Veseli në përgjigjen drejtuar Thaçit ka thënë që nuk do të ketë mandatarë të tjerë por do të ketë zgjedhje.

“Si udhëheqës i koalicionit PAN, i kam kthyer përgjigje Presidentit të Republikës së Kosovës dhe e kam njoftuar se nuk do të ketë mandatar tjetër”, ka njoftuar Veseli.

Sipas Veselit, kuvendit është i obliguar që t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm që shteti të mos shkojë në vakum institucional.

“Si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kam vendosur që të hënën, më 5 gusht 2019, të thërras një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, bashkë me Kryetarët e Grupeve Parlamentare, në funksion të veprimeve të cilat duhet t’i ndërmarrim në ditët në vazhdim, konkretisht për të diskutuar për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për shpërndarjen e legjislaturës aktuale të Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar Veseli.

Sipas Veselit, nuk duhet të humbet kohë, dhe vendi duhet të dëshmojë që është i gatshëm për të organizuar zgjedhje demokratike.

“Ju siguroj se vendi ynë ka të gjitha kapacitetet e nevojshme institucionale dhe përvojën e dëshmuar për të organizuar një proces zgjedhor në përputhje të plotë me standardet më të larta demokratike”, ka shkruar Veseli.

Veseli tutje ka përmendur edhe seancën e së hënës për të cilën ka thënë se do të diskutojnë me shefat e grupeve parlamentare dhe kryesinë e Kuvendit të Kosovës për thirrjes e seancës së jashtëzakonshme për shpërbërjen e kuvendit.

“Kjo mbledhje ka për qëllim të saktësojë në mënyrë zyrtare dhe institucionale qëndrimet e çdo grupi parlamentar në lidhje me situatën e krijuar pas rënies së Qeverisë së Kosovës, si dhe konkretizimin e hapave për përcaktimin sa më të shpejtë të datës së zgjedhjeve të parakohshme”, ka shkruar Veseli.

Kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e tij më 19 korrik për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale.