Foto: KALLXO.com

Nis fushata vetëdijesuese "16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore"

Dhuna në familje në baza gjinore vazhdon të mbetet një nga problemet kyçe që ka shoqëria në Kosovë.

Sipas të dhënave të Policisë, në Kosovë mbi 2,000 raste të dhunës në familje raportohen çdo vit. Viktimat kryesisht janë të gjinisë femërore.

Vetëm gjatë vitit 2023, 286 gra dhe 335 fëmijë u strehuan në shtëpi të sigurta në gjithë vendin, teksa për vitin aktual të dhënat nuk janë ende të ditura.

Me qëllim të vetëdijesimit dhe sensibilizimit për parandalimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë ka filluar sot, më 25.11.2024, fushata 16-ditore e aktivizmit.

E hapja e fushatës vetëdijesuese “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore” u shënua me një ceremoni hapëse të organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

https://fb.watch/w4CLWs1C8j/

I pranishëm në këtë ceremoni hapëse përpos ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në një fjalë rasti, shefi i Qeverisë tha se janë këtu për një arsye të rëndësishme dhe një mision të drejtë.

“Për të mbrojtur dinjitetin njerëzor, për një shoqëri ku çdo grua dhe vajzë ka të drejtë të jetojë e lirë e të ëndërroj pa frikë. Në këto 16 ditë nderojmë viktimat, mbështesim të mbijetuarat, flasim zëshëm e veprojmë bashkë” – tha Kurti.

“Si Qeveri po veprojmë çdo ditë, po forcojmë ligjet, po rrisim ndihmën për strehimoret, po fuqizojmë gratë ekonomikisht në përkrahje të viktimave të dhunës në baza gjinore. Tashmë kemi ndarë 3 milionë euro mbështetje financiare për strehimoret dhe organizatat e licencuara në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare gjatë viteve 2023-2024. Po ofrojmë ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje dhe me bazë gjinore”- shtoi tutje Kurti.

Kurti gjatë fjalimit të tij tha se nuk duhet të arsyetohet dhuna, sepse dhuna nuk është as traditë e as zgjidhje.

“Prandaj duke luftuar dhunën angazhohemi për lirinë, duke fuqizuar gratë forcojmë shoqërinë, shpijmë përpara barazinë dhe zhvillimin në shtetin tonë” – theksoi i pari i Qeverisë.

“Kjo është beteja jonë, jo vetëm e grave, por e burrave dhe e grave së bashku sepse një shoqëri e lirë nga dhuna është një shoqëri më e fortë, më e drejtë dhe më njerëzore. Burrat dhe djemtë duhet të jenë aleatë, institucionet tona duhet të jenë të përgjegjshme, shoqëria e guximshme” – u shpreh ai.

“Mos të arsyetojmë dhunën sepse dhuna nuk është arsyetim, dhuna nuk është traditë, dhuna nuk është zgjidhje “ – shtoi tutje Kurti.

Ceremonia vazhdoi edhe me një fjalim nga Ariana Qosaj Mustafa, kryetare e bordit të Rrjetit të Grave të Kosovës, e cila gjatë fjalimit të saj tha se është një kohë e mirë për reflektim e për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave.

“Mund të them që me të vërtetë është një kohë e mirë e cila është kohë për reflektim, reflektim të sukseseve tona por natyrisht edhe të disa sfidave, e problematikave që na vazhdojnë“ – tha Ariana Qosaj Mustafa.

“Gjatë viteve kemi parë një përparim domethënës për adresimin e dhunës ndaj grave në Kosovë” – shtoi tutje Qosaj Mustafa.

Në këtë ceremoni fjalim rasti mbajti edhe koordinatorja e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Arnhild Spence.

E gjithashtu gjatë ceremonisë dy aktoret Igballe Qena dhe Ilire Vinca interpretuan rrëfime të vërteta nga përjetimet e dy grave të mbijetuara të dhunës në familje, gra ato të cilat ishin të pranishme sonte në këtë ceremoni. Ndërsa aktori Bujar Ahmeti interpretoi një rrëfim të vërtetë për dhunën në familje nga një person i dënuar i cili momentalisht është duke vuajtur dënimin në Burgun e Dubravës.

Ndërsa krejtësisht në fund fjalim rasti mbajti edhe nikoqirja e këtij organizimi, ministrja Albulena Haxhiu, e cila njëherazi është edhe koordinatore për parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje.

Në këtë ceremoni Haxhiu bëri thirrje që të raportohen rastet e dhunës në familje.

“Ne jemi me ju gjithmonë” – theksoi Haxhiu.

“Dhuna në çdo formë është shkelje e të drejtave të njeriut. Dhuna nuk është çështje private por është problem shoqëror që kërkon zgjidhje dhe angazhim të përbashkët shoqëror dhe institucional” – shtoi tutje Haxhiu.

Parandalimi i dhunës fillon nga edukimi i fëmijëve

Dita e parë e fushatës 16-ditore për eliminimin e dhunës me bazë gjinore nisi në shkollën e mesme të lartë “Ahmet Gashi” në Prishtinë.

Ministrja Haxhiu aty iu drejtua nxënësve duke i informuar lidhur me punën që shteti po bën kundër dhunës në baza gjinore.

“Të dashur nxënës, siç jeni në dijeni, më 25 nëntor, pra në ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave deri më 10 dhjetor, në ditën e të drejtave të njeriut organizohen me qindra aktivitete qoftë nga institucionet, qoftë nga organizatat e shoqërisë civile, qoftë nga partnerët tanë ndërkombëtarë” – tha Haxhiu.

Sipas saj, Ministria e Drejtësisë e ka përgjegjësinë që të adresojë politikat për adresimin e dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore.

Ajo shtoi se gjatë qeverisjes aktuale u është ofruar ndihmë juridike falas viktimave të dhunës në familje, e po ashtu Ministria po bën kompensimin e viktimave të krimit.

“Ne kemi adresuar dënimet plotësuese për dhunuesit, në kuptimin që ata që shpallen fajtor për dhunë në familje dhe dhunë seksuale, gjykata mund të marrë dënim plotësues që të njëjtit mos të punësohen në institucione në Republikës e Kosovës” – tha e para e Ministrisë së Drejtësisë.

Në panel bashkë me ministren Haxhiu ishin edhe deputetja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e edhe Vilma Dule – viktimë e dhunës në baza gjinore.

Tri panelistet, e edhe të ftuar të tjerë, dhanë mesazhe për parandalimin e dhunës në baza gjinore.

“As nëna, as motra, as shoqja, as gjyshja nuk e meritojnë dhunën, nuk duhet të jenë subjekt i dhunës pse janë gra” – tha Kusari-Lila.

Ajo shtoi se dhuna nuk duhet të ndodhë as ndaj djemve, e u shpreh se çdo rast, pavarësisht natyrës, duhet të raportohet në organet kompetente.

Në anën tjetër, Dule tregoi se si ishte viktimë e një sulmi me acid që ia dogji një pjesë të fytyrës e edhe pjesë të tjera në trup.

Dule tregoi se si ky rast e bëri që të hapë një organizatë të veten e edhe prezantoi edhe punën e saj me maskat pas sulmit që pësoi.

“Pjesa më e madhe e dhunës bëhet sepse vetë viktimat e dhunës nuk dinë të kuptojnë se çfarë po u ndodhë atyre vetë” – u shpreh Dule.

Pas prangave, hallka elektronike për dhunuesit

Ligji për mbikëqyrjen elektronike pritet që më në fund të gjejë zbatim.

Të paktën kështu ka paralajmëruar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në ditën e parë të fushatës 16-ditore kundër dhunës në baza gjinore.

Haxhiu tregoi se gjatë këtyre 16 ditëve do të lansohen hallkat elektronike, që do t’i vendosen në duar apo në këmbë dhunuesit.

Hallkat elektronike do të vendosen në mënyrë që Policia e Kosovës t’i mbikëqyrë dhunuesit dhe të mos i lejojë që t’i afrohen viktimës.

Ministrja Haxhiu më 25.07.2024 kishte njoftuar se është nënshkruar kontratë nga Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e Ligjit për mbikëqyrjen elektronike.

“Hallkat elektronike do të jenë siguri më e madhe për vajzat dhe gratë viktima të dhunës, dhunuesit do të monitorohen e rrjedhimisht nuk do të kenë mundësi t’u afrohen atyre” – kishte shkruar Haxhiu.

Qëllimi i këtij Ligji është të rregullojë përdorimin e mbikëqyrjes elektronike në procesin e drejtësisë penale për të ngritur sigurinë publike dhe për të garantuar ekzekutim efektiv të vendimeve të gjykatës, duke i respektuar plotësisht të drejtat e personave të përfshirë.