Ngjarja e rëndë në Spitalin e Pejës, suspendohen shtatë punëtorë

Një foshnje e lindur pa shenja jete javën e kaluar në  Spitalin e Përgjithshëm të Pejës po dyshohet se është futur në rrobalarëse.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar Prokuroria e Pejës.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë janë suspenduar shtatë punonjës të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe ndaj tyre është duke u zhvilluar procedurë disiplinore.

Në një njoftim në Facbook, Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka thënë se rasti është duke u trajtuar edhe nga organet e drejtësisë edhe nga organet menaxheriale të Spitalit.

“Spitalit të Përgjithshëm në Pejë me qëllimin që të bëjë hetime të papenguara dhe të detajuara për këtë rast deri më tani ka suspenduar 7 punonjës të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit”- bënë të ditur Spitali i Pejës.

“Duhet theksuar se hetimet nuk janë duke u bërë për ndërhyrjen kirurgjike apo përkujdesjen tjetër shëndetësore, por lidhur me mënyrën se si është bërë ruajtja e fetuesit të vdekur, dhe tërë atë që ka ndodhur deri në dorëzim e fetuesit të vdekur tek familjarët”- vazhdon njoftimi.