Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nesër Nasim Haradinaj del para Gjykatës Speciales

Të martën nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, do të paraqitet në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Kështu ka bërë të ditur Gjykata Speciale përmes një komunikatë dërguar mediave.

Nasim Haradinaj u arrestua më 25 shtator në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Paraqitja e parë e Nasim Haradinajt do të mbahet në seancë publike, e cila mund të përcillet përmes transmetimit në Internet”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit brenda mjediseve të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Përveç Nasim Haradinajt më 25 shtator pas një aksioni të bastisjes së zyrave të OVL e UÇK-së është arrestuar edhe kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati.

Këto arrestime ishin bërë pak ditë të pasi OVL e UÇK-së publikoi në tri seri dosje të Gjykatës Speciale.