Nesër mblidhet Komiteti për vlerësimin e situatës me COVID-19

Komiteti për koordinim dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19, do të mbajë takimin e radhës nesër, 12 mars.

Takimi fillon në ora 09:00, në ndërtesën e Qeverisë.

Ky takim po ndodh pas rritjeve të rasteve të reja me COVID-19 në Kosovë.

Mbi 10 mijë raste me SARS-CoV-2 mbeten ende aktive në Kosovë.

632 raste pozitive janë regjistruar në Kosovë në 24 orët e fundit nga 3,621 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, si dhe laboratorët private të licencuar për testim të coronavirusit.

Ndërsa, tetë persona kanë vdekur në Kosovë në 24 orët e fundit si pasojë e infeksionit me këtë sëmundje.

Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti paralajmëroi sot se masat e njëjta kundër përhapjes së pandemisë COVID-19 në Kosovë, do të vazhdojnë të mbesin në fuqi.