Nesër hapet rruga ‘Xhorxh Bush’ - lejohen vetëm autobusët, taksitë dhe veturat emergjente

Të premten do të hapet për qarkullim rruga “Xhorxh Bush” e cila ka qenë e mbyllur për disa javë pas organizmit të Tregut të Fundvitit në këtë pjesë.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu për KALLXO.com ka bërë të ditur se për qarkullim do të lejohen vetëm autobusët, taksitë dhe veturat emergjente.

“Nesër do të bëhet hapja e rrugës. Çasje do të kenë të gjithë autobusët, taksitë dhe veturat emergjente”- është shprehur Musliu.

Musliu nuk ka dhënë detaje për mënyrën se si do menaxhohet hyrja për në Parkingun Nëntokësor që është përballë Katedrales “Nënë Tereza”.

Zgjerimi i sheshit deri tek katedralja është pjesë e planit qeverisës të kryetarit, Përparim Rama.

Sipas tij, kjo është vetëm faza e parë e zgjatjes së sheshit, pasi pjesa e dytë shkon deri tek Posta e Madhe me mundësi për një fazë të tretë deri te ‘Rrethi me flamur’.

Deklarimet e të parit të Prishtinës për zgjatje të sheshit janë pasuar me shumë kritika nga ana e qytetarëve për shkak të tollovisë dhe vonesave në trafik, si dhe mos ofrimit të rrugëve alternative për qarkullim.

Festat e fundvitit, mbyllet rruga “Xhorxh Bush” në Prishtinë