Përparim Rama dhe Ilirik Musliu

VIDEO - Drejtori i shkarkuar nga Përparim Rama: 80% të projekteve janë të drejtorëve të PDK-së

Ish-drejtori i Shërbimeve Publike në Kryeqytet nga radhët e PDK-së, Ilirik Musliu i cili u shkarkua nga kryetari Përparim Rama më 02.02.2024 nën arsyetimin se nuk kishte menaxhuar mirë situatën me mbeturina, numëroi në ‘Kallxo Përnime’, angazhimet dhe sukseset e tij, për të cilat pretendon se janë kryer përmes tij.

Ai theksoi se përgjegjës për grumbullim të mbeturinave në kryeqytet është kompania rajonale ‘Pastrimi’ e cila nuk e mbulon vetëm kryeqytetin dhe që ka mungesë të kamionëve.

“Master Plani për menaxhim të mbeturinave është punuar në vitin 2023, ai ka qenë pjesë e këtij plani. Ne e kemi shkarkuar kryeshefin e ‘Pastrimit’, kemi emëruar ekipin e ri, ka pas progres në administratë të asaj ndërmarrje të cilën e kemi trashëguar me 4 kamionë, sot janë 20 kamionë”- tha Musliu.

Tutje, Musliu numëroi edhe proceset që kishte nisur me GIZ-in gjerman e risi që do nisnin për herë të parë në kryeqytet.

“Në maj 2023 kemi bërë procesin për tarifat e reja, në qershor kemi dorëzuar planin komunal për menaxhim të mbeturinave i cili është votuar në asamble. Në Prishtinë nuk ke qendër vëllimore dhe burimore që nga paslufta, unë si drejtor i shërbimeve publike në bashkëpunim me GIZ-in gjerman kemi premtuar dhe besoj nis këtë vit, ndërtimi i qendrës për trajtim të mbeturinave vëllimore dhe ndërtimore”- bëri të ditur Musliu.

Madje Musliu theksoi se nuk i vjen keq në asnjë moment që sot përurohen projekte që ka punuar në to, e ky nuk është drejtor.

“Sot po përurohen 300 kontejnerë që po prodhohen nga Ndërmarrja Publike Banesore, këta dalin në kryeqytet nga e hëna, projekt të cilin e kemi punuar ne. Unë jam ai që kam qenë motor i grantit prej më shumë se 70 milionë euro me Kfw-në dhe ky është grant që komuna e Prishtinës po e merr për herë të parë”- shtoi më tej Musliu.

Madje, ai iu kundërpërgjigj deklarimit të kryetarit më 09.02.2024 në emisionin ‘Kallxo Përnime’ se drejtorët e PDK-së kishin sabotuar procese.

“Nëse unë do doja ta sabtoja, granti nuk do vinte në Prishtinë. Nuk mund ta zvarrisë një proces njeriu që ka qenë i proceseve, mos të harrojmë me GIZ-in gjerman e kam bërë hartimin e marrëveshjes për marrëdhënie ndërkomunale në menaxhim të mbeturinave, qysh mundet Iliriku me qenë pjesë e të gjitha proceseve e t’i ndalë ato”- shtoi më tej ai.

Sipas tij, nuk mund t’u thuash drejtorëve të PDK-së keni sabotuar punën, kur 80% e projekteve të përuruara kanë qenë të drejtorëve të PDK-së.

“Ndriçimi smart, procesi për blerjen e autobusëve, ashensorët, sinjalizimi a janë sabotim këto. Ne i kemi besuar 100% Përparim Ramës, kemi qenë besnik ndaj misionit tonë”- shtoi tutje ish drejtori i shërbimeve publike.

Madje për shkarkimin e tij, Musliu potencoi se ka qenë mosrespekt edhe për nënkryetarin e PDK-së, Uran Ismaili i cili i kishte zgjedhur për këtë ekip.

“Nuk është çështje morali, karakteri as princip e lidership të shkarkohet një njeri vetëm për çështje politike e t’i lihet njolla e mbeturinave, duhet të luftohet një praktikë e tillë pasi është mesazh i keq për ata që janë brenda. Për mua është shumë e dhimbshme sepse ai për dy vite proklamoi që nuk ka ardhur të bëjë politikë e momentin e parë që politika është sfiduese, lëshohet bajraku”- shtoi tutje Musliu.

Pas shkarkimit të zyrtarëve të partnerit qeverisës, kryetari i Prishtinës Përparim Rama, njerëzve të partisë së vet, ua ndryshoi pozicionet brenda kabinetit të tij.

Bekim Brestovci u vendos në krye të drejtorisë së Shërbimeve Publike.

Rrugëtimi politik nga NISMA deri në drejtor të ri të Shërbimeve Publike në kryeqytet