Musliu: E kemi ditur se do kemi problem në koalicion sapo Badovci të vjen në tavolinë

Ish-drejtori i Shërbimeve Publike nga radhët e PDK-së, Ilirik Musliu deklaroi se e kanë ditur që do kenë probleme në koalicion me LDK-ne sapo tema e Badovcit të vinte në tavolinë.

Ai në emisionin ‘Kallxo Përnime’ theksoi se qysh herët e kanë bërë të ditur qëndrimin e tyre për këtë këmbim.

“Më vjen keq se kur kemi qenë pjesë e koalicionit, ne qysh herët e kemi bërë të ditur vendimin për Badovcin, pra në momentin që vjen në tavolinë e kemi ditur se do kemi probleme, qëndrimi ka qenë të mos bëhet këmbimi i pronave”- tha Musliu.

Sipas tij, iniciativa për mbrojtje të kësaj zone ka nisur qysh në vitin 2019.

“Ne për asnjë moment nuk i kemi thënë kryetarit se po vepron jashtëligjshëm, por se ky është vendimi jonë dhe të na i respektojë. Ne kemi dal prej seancës, LVV ka bërë kuorumin, mandej ka marrë bujë të madhe”- shtoi tutje ai.

Derisa, kryetari i Prishtinës Përparim Rama në emisionin ‘Kallxo Përnime’ më 09.02.2024 deklaroi se PDK kishte filluar të shfaq pakënaqësi edhe para se kjo pikë të futej në rend për votim.

“Tri seanca nuk ka ardhur në Kuvend. Më kanë thënë se duhet së pari t’ua dërgoj atyre këto pikat e rendit të ditës, pastaj të tjerëve. Unë kam thënë që s’e kam problem pasi ato pika dërgohen prej të gjithë drejtorëve dhe i shkojnë gjithë Asamblesë. Nuk e di pse nuk kanë ardhur më pas. Mua kjo nuk më duket e logjikshme”- deklaroi Rama.

Rama tregon kur nisi përçarja me PDK-në, për zyrtarët e shkarkuar thotë se sabotuan procese

PDK dhe LVV më 08.02.2024 përmes një seance të jashtëzakonshme votuan për anulim të vendimit të 21.12.2023 për këmbim të pronës në Badovc me pronën në lagjen ‘Prishtina e Re’.