FOTO: KALLXO.com.

Nënshkruhet marrëveshja për programin kreativ në mes të Kosovës dhe SHBA-ve

Është nënshkruar sot në Komunën e Prishtinës marrëveshja për programin e shkëmbimeve kreative në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “Ndërtimi i urave përmes artit dhe kulturës: Programi i shkëmbimit kreativ SHBA – Kosovë”.

Marrëveshja është nënshkruar nga ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe bashkëthemeluesi i Organizatës joqeveritare “Autostrada Bienale”, Leutrim Fishekqiu.

Marrëveshja do të mundësojë promovimin e krijimtarisë së artistëve amerikanë në Kosovës.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se me këtë marrëveshje do t’u mundësohet artistëve amerikanë për të ekspozuar punën e tyre para publikut në kryeqytet.

“Bashkëpunimet që i kemi deri më tani me SHBA-në do të vazhdojnë edhe mëtej me një intensitet më të madh, duke sjell artistë të mirënjohur amerikanë, duke u dhënë një mundësi qytetarëve që të njihen me artin dhe artistët amerikanë” – tha Rama.

Ndërsa, Jeffrey Hovenier, ambasador i SHBA në Kosovë tha se këto shkëmbime kulturore do të ndihmojnë në thellimin e lidhjeve të fuqishme që tashmë ekzistojnë në mes Kosovës dhe SHBA-ve.

“Ajo që po bëjmë është shumë e thjeshtë, po përpiqemi që të sjellim artistë nga e gjithë bota që bashkërisht të nxitim më shumë dialog, bashkëpunime, ide dhe këndvështrime të tjera”, – tha ambasadori Hovenier.

Leutrim Fishekqiu nga ‘Autostrada Bienale” tha se me këtë marrëveshje do t’u mundësohet krijuesve të rinj kosovarë të bashkëpunojnë me ata amerikanë.

Ai tha se në SHBA dhe Komuna e Prishtinës në vazhdimësi kanë mbështetur aktivitete e “Autostradës Bienale”.

“Të gjithë të rinjtë që kanë ndjekur një program edukimi në kuadër të ‘Autostrada Hangar’ do të kenë mundësi me bashkëpunim me artistë amerikanë e vendor, të prodhojnë art”-tha ai.