'Në vazhdimësi është rrahur dhe maltretuar' - Rrëfimi i motrës së gruas të vrarë - VIDEO

Motra e gruas shtatzënë që është vrarë të mërkurën në mbrëmje përballë Gjinekologjisë në QKUK, ka rrëfyer se e ndjera vazhdimisht ishte viktimë e dhunës nga bashkëshorti i saj.

Ajo ka treguar për raportet që ka pasur viktima me familjen e të dyshuarit, që në këtë rast është ish-burri i saj, e se si e kuptoi që motra e saj u vra.

“Ka dal në ora 18:00 për me ble diçka, kur ka dal ai tinëz e ka vra me armë zjarri” – tregon motra e viktimës.


Ajo thotë se vrasjen e motrës së saj e ka kuptuar përmes mediave.

“Jam kanë duke i këqyrë lajmet, e qitën që është vra një grua. Thash hajt ta këqyri a mos është motra ime, si thanë që është vra një 35-vjeçare në muajin e fundit të shtatzënisë e kam ditë që është motra jem” – thotë ajo.

E njëjta thotë se vetëm tre muaj pas martesës së viktimës me të dyshuarin kanë filluar ta vërejnë që ka dhunë në familje.

Kjo, thotë motra e gruas së vrarë, ka qenë edhe arsyeja se pse familjarët e saj edhe e kanë ndalë në shtëpi.

“Është kanë e martuar tre muaj, pas tre muajve ka pas dhunë në familje edhe jemi detyru që me shku me e ndalë. Jemi shku se ka pas dhunë, e kanë rrehë, e kanë maltretuar e kanë shti brenda me qykë të armës i kanë mëshu në kry, krejt trupin e ka pas blozhë, krejt e mavijosur është kanë” – shpjegon ajo.

Tutje e njëjta tregon se viktima nuk ka qenë e lejuar as të vizitojë shtëpinë e prindërve të saj, e as motrat e saj.

“Nuk e kanë lanë me ardh kurrë, të shtëpia e babës këtu. I kemi vërejt problemet e para kur është martu, kur na e hapke telefonin na thojke ‘Motër, ndihemi nesër’ i thoshim ‘Motër çka ki, po nuk na kallxojke’” – shpjegon motra e viktimës.

Në rastet kur viktima është lejuar të vizitojë shtëpinë e familjes, motra e saj thotë se prapë ka qenë me përcjellje të vjehrrës së saj.

“Ka qenë rasti në polici, ka qenë rasti në gjykatë. I ka thanë që kur të lind, fëmijën ta dorëzoj” – tregon tutje ajo.

E njëjta ka thënë se lindja e fëmijës ka qenë e planifikuar të ndodhë të shtunën.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për detaje dhe të dhëna të reja që po dalin nga rasti i vrasjes së 35-vjeçare shtatzënë.

E njëjta mbrëmjen e kaluar u vra në oborrin e QKUK-së ndërsa ishte duke qëndruar në Klinikën e Gjinekologjisë pasi ishte në prag të lindjes së një foshnje.

Burri i saj është personi i dyshuar për kryerjen e vrasjes ndërsa i njëjti po kërkohet nga organet e rendit dhe gjendet në arrati.

Gruaja kishte një urdhër mbrojtje që nga shtatori i këtij viti, vlefshmëria e së cilit ishte deri në mars të vitit 2023.

Ndërsa sot gjatë ditës në Institutin e Mjekësisë Ligjore ka përfunduar autopsia e trupit të vrarë të gruas shtatzënë dhe pas obduksionit trupi i të njëjtës është dërguar te familja e saj për ceremoninë e varrimit..

Deri te urdhri i mbrojtjes erdhi një rast i mëhershëm i raportuar për dhunë në familje më konkretisht në korrik të këtij viti.

Ndaj burrit të dyshuar është ngritur një aktakuzë për kanosje që lidhet edhe me dhunë në familje.

KALLXO.com raportoi se në shtator Sokol Halili ishte dënuar me gjobë prej 300 euro për armë mbajtje pa leje.

Ai dyshohet se mbante një armë me kalibër 9 milimetra prodhim turk dhe një karikator për 8 vite.

Për këtë vepër penale ai ishte penduar para gjyqtarit dhe kishte premtuar se nuk do të kryente më një vepër të tillë apo të ngjashme.

Nën këtë rrethanë lehtësuese Sokol Halili ishte dënuar me 300 euro gjobë.