Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Klinika e Gjinekologjisë del me sqarim për rastin e vdekjes së dy foshnjave

Klinika e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka dalë me një sqarim lidhur me rastin e iniciuar nga policia dhe prokuroria si trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor.

Kjo klinikë thotë se gruaja e cila ka humbur dy fëmijët e saj, kur ka mbërritur në QKUK veçse se kishte humbur njërën foshnje, përderisa foshnja tjetër ka qenë në proces të abortit.

“Klinika e Gjinekologjisë sqaron se pacientja e cila ka ardhur ne klinikë përmes Shërbimit Emergjent të QKUK, në Zyrën e Pranimit me njërin fëmijë të dështuar në javën e 20/21, e ka sjellë me vete. Fëmija tjetër ka qenë në proces të abortit dhe është dërguar në sallën e lindjes me ç’rast është kryer aborti” – thuhet në njoftim.

Pesha e kësaj foshnjeje, sipas klinikës ka qenë 300 gram dhe duke u thirrur në Organizatën Botërore Shëndetësore dhe në literaturë mjekësore, shton klinika thuhet se kemi të bëjmë me dështim – abort, e jo me lindje.

Prandaj, siç thotë Gjinekologjia nuk ka pasur asnjë mundësi që fryti në atë moshë dhe me atë peshë të shpëtohet.

Tutje, në njoftim thuhet se qasja e personelit sipas deklaratave të tyre dhe pacientes ka qenë korrekte, ndërkaq shtohet se rrjedha e kryerjes së abortit ka shkuar mirë dhe gjendja e pacientes ka qenë e mirë.

Në fund, QKUK ka cekur se pacientja nuk ka qenë e shtrirë në Klinikën e Gjinekologjisë së QKUK-së asnjë ditë më parë.

Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës kishte pranuar denoncim më 30 prill, ndërkaq Prokuroria Themelore në Prishtinë ka iniciuar rast për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor dhe ka urdhëruar për bërjen e autopsisë për të dy foshnjat.