Policia jep detaje lidhur me dyshimin për vetëvrasje të Sokol Halilit

Sokol Halili dyshohet se ka kryer vetëvrasje në orët e pasdites së sotme, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas Policisë së Kosovës, i njëjti përkundër tentativa për negocim nuk është dorëzuar dhe ka kryer vetëvrasje.

“Policia e Kosovës me njësitet relevante ka aplikuar masat e negocimit me personin e dyshuar për t’i mundësuar të njëjtit dorëzimin. Përkundër të gjitha masave të ndërmarra dhe tentativës për negocim, nga njësitet dhe kompetentët policorë i njëjti nuk është dorëzuar dhe me armës zjarri ka kryer aktin e vetëvrasjes” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit njësitet policore kanë arritur të lokalizojë vendndodhjen e të dyshuarit për vrasjen e 35-vjeçarës e cila ishte shtatzënë, sot rreth orës 13:45.

Sokol Halili, viti i lindjes 1991, gjendej në fshatin Davidovc të komunës së Shtimes, ka njoftuar tutje PK.

Tutje Policia ka njoftuar se janë duke vazhduar veprimet e mëtejme nga njësitet relevante policore, përfshirë ekzaminimin e vendit të ngjarjes.

Ndërsa për procedura të mëtejme janë informuar Prokuroria dhe Inspektorati Policor i Kosovës.

Burime nga KALLXO.com tregojnë se policia ishte duke negociuar dorëzimin e Sokol Halilit përmes babait të tij.

Babai i Sokol Halilit ishte dalë jashtë shtëpisë dhe u ka thënë zyrtarëve policorë se do të dorëzohet biri i tij, ndërsa i njëjti më pas kur ka dalë edhe ka kryer aktin e vetëvrasjes.

Sokol Halili dyshohet se ka vrarë ish-gruan e tij, Hamide Magashin në oborrin e QKUK-së, në afërsi të Gjinekologjisë.

Hamide Magashi ishte në javën e fundit të shtatzënisë.