Protesta në Prishtinë kundër vrasjes së grave, 1 dhjetor 2022, Foto: KALLXO.com

Në Prishtinë protestohet kundër vrasjes së grave - LIVE

Vrasja e një gruaje shtatzënë mbrëmë nga i dyshuari burri saj, ka bërë që sot Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe YIHR të mbajë një protestë në kryeqytet kundër vrasjes së grave në Kosovë.

Protesta me moton “Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare” po mabhet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Pas mbledhjes në shesh, është planifikuar që protestuesit të kalojnë tek Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Policia e Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e pastaj deri tek Qeveria e Kosovës.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për detaje dhe të dhëna të reja që po dalin nga rasti i vrasjes së 35-vjeçare shtatzënë.

E njëjta mbrëmjen e kaluar u vra në oborrin e QKUK-së ndërsa ishte duke qëndruar në Klinikën e Gjinekologjisë pasi ishte në prag të lindjes së një foshnje.

Burri i saj është personi i dyshuar për kryerjen e vrasjes ndërsa i njëjti po kërkohet nga organet e rendit dhe gjendet në arrati.

Gruaja kishte një urdhër mbrojtje që nga shtatori i këtij viti, vlefshmëria e së cilit ishte deri në mars të vitit 2023.

Ndërsa sot gjatë ditës në Institutin e Mjekësisë Ligjore ka përfunduar autopsia e trupit të vrarë të gruas shtatzënë dhe pas obduksionit trupi i të njëjtës është dërguar te familja e saj për ceremoninë e varrimit..

Deri te urdhri i mbrojtjes erdhi një rast i mëhershëm i raportuar për dhunë në familje më konkretisht në korrik të këtij viti.

Ndaj burrit të dyshuar është ngritur një aktakuzë për kanosje që lidhet edhe me dhunë në familje.

KALLXO.com raportoi se në shtator Sokol Halili ishte dënuar me gjobë prej 300 euro për armë mbajtje pa leje.

Ai dyshohet se mbante një armë me kalibër 9 milimetra prodhim turk dhe një karikator për 8 vite.

Për këtë vepër penale ai ishte penduar para gjyqtarit dhe kishte premtuar se nuk do të kryente më një vepër të tillë apo të ngjashme.

Nën këtë rrethanë lehtësuese Sokol Halili ishte dënuar me 300 euro gjobë.