Abazi: Sot do të duhej të zgjoheshim me lajmin se ka shkarkime në institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e viktimës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, në konferencë për media ka deklaruar se pas vrasjes së 35-vjeçares do të duhej të ndodhnin dorëheqje dhe shkarkime në institucionet të cilat kanë përgjegjësinë ligjore për të mbrojtur viktimën.

Abazi ka thënë se pavarësisht nga vlerësimet se fenomeni i dhunës dhe vrasjes së grave është pasojë e kulturës patriarkale apo pasojë e traumave, kjo nuk e zbeh përgjegjësinë dhe dështimin e thellë institucional.

“Rasti i fundit është thirrja me urgjencë e krijimit të një trupe kombëtare e cila do të duhej të vishej me përgjegjësi për të monitoruar funksionimin e personave përgjegjës dhe institucioneve përkatëse në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre ligjore” – ka thënë Abazi.

Deputeti tutje lidhur me rastin ka thënë se duhet të ketë veprime me pasoja të drejtpërdrejta.

Ai ka folur edhe për anulimin e mbi një mijë seancave gjyqësore si pasojë e zvogëlimit të pagave miratuar nga Qeveria e Kosovës.

“Pasojat e kësaj situate janë të dukshme meqë afektojnë njerëzit që janë në paraburgim, rastet gjyqësore që janë në fazën e parashkrimit, dhe posaçërisht sinjali që ju dërgohet keqbërësve dhe keqpërdoruesve, të cilët e shohin e këtë paralizë si mundësi për të vazhduar me veprimet e tyre antiligjore” – ka deklaruar tutje ai.

Temë e konferencës së tij ka qenë edhe kriza në veri të vendit, që sipas Abazit mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe në veri do të jetë një mundësi e radhës që Serbia të ngris tensione dhe të tregojë fuqinë e vet, duke i parandaluar të gjithë serbët që të marrin pjesë në këto zgjedhje.

“Siç e kemi parë edhe në rastin e targave, përshkallëzimi i tensioneve nuk na shkon për shtati dhe pamundëson adresimin e çështjeve praktike siç janë pagesat për energjinë elektrike në veri”- ka thënë ai.

Ai ka shtuar se kërkesa për sigurim jetësor të policëve dhe pjesëtarëve të Ushtrisë së Kosovës duhet të përfshihet në projekt-buxhetin e vitit 2023.